Françesko Açerbi ishte protagonisti i suksesit në derbi që i dha Interit titullin kampion në Serinë A me golin e tij. Por tani që siguroi atë që ishte trofeu i parë kampion në karrierë, mbrojtësi 36-vjeçar, ka menduar që të mbyllë para kohe sezonin.
Arsyeja është se Açerbi kërkon të jetë gati për EURO 2024, ku kundërshtar të parë Italia ka pikërisht Shqipërinë në fazën në grupe. Mbrojtësi ka shpjeguar se ka vuajtur në këto muaj nga pubalgjia e tashmë po ndalet në mënyrë që të riaftësohet plotësisht.
“Prioriteti im ka qenë gjithmonë që të jap maksimumin për këtë fanellë zikaltër. Për këtë arsye në muajt e fundit kam luajtur duke shtrënguar dhëmbët pavarësisht pubalgjisë.
Tani, me këto dy yje të qepura në gjoks, kam kohën për të rikuperuar dhe për të qenë në 100% për impenjimet e radhës”, shkruante ai duke vendosur edhe inicialet e Italisë në postimin e tij në rrjetet sociale.
PANORAMASPORT.AL