Ajo që pritej, ndodhi! Xhonatan Devid, ka vendosur të largohet nga Lilë në fund të këtij edicioni si futbollist i lirë, pasi i përfundon kontrata me klubin francez. Sulmuesi 25-vjeçar kanadez i jep kësisoj fund aventurës së tij në këtë klub, pas interesit gjithmonë në rritje nga thuajse të gjithë klubet e njohura në Europë që interesohen për të.
“Çdo histori ka një fillim dhe një fund”, tha ai në një video të postuar në rrjetet sociale për tifozët e Lilës. “Unë dëshiroja që t’ua thosha vetë këtë, pas shumë vitesh në klub, ka ardhur koha që të them lamtumirë”.
Klube angleze si Liverpul, Çelsi, Mançester Junajtid dhe Uest Hem kanë shfaqur të gjithë interes për lojtarin, ashtu si edhe emrat më të mëdhenj në Itali apo Spanjë, të cilët janë gati t’i ofrojnë atij një vend në rreshtimet e tyre nga sezoni i ardhshëm. Devid ka shënuar 109 gola në 231 ndeshje për Lilën, ku 25 janë shënuar në 48 ndeshjet e luajtura në sezonin aktual.
PANORAMASPORT.AL