Gazetari i njohur italian Fabrizio Romano njoftoi një lajm që ka bërë jehonë në botën e futbollit: legjenda franceze Zinedine Zidane ka arritur një marrëveshje verbale për të marrë drejtimin e ekipit kombëtar të Francës.
Sipas raportimeve të Romano, Zidane do të pasojë Didier Deschamps në stol menjëherë pas përfundimit të Kupës së Botës 2026, ndërsa Deschamps ka njoftuar largimin e tij nga drejtimi i Trikolorëve.
Edhe pse Shoqata Franceze e Futbollit ende nuk ka konfirmuar zyrtarisht marrëveshjen, Romano thekson se palët kanë arritur një akord praktikisht përfundimtar dhe vetëm pritet momenti i duhur për njoftimin publik.
Zidane nuk ka qenë i angazhuar si trajner që nga largimi i tij nga Real Madrid në vitin 2021, megjithatë emri i tij ka qenë i lidhur me stolin e Francës për vite me radhë.
Si lojtar, ai fitoi Kupën e Botës 1998 dhe Kampionatin Evropian 2000, duke lënë një trashëgimi të jashtëzakonshme. Ndërsa si trajner i Real Madridit, Zidane bëri histori duke fituar tre herë radhazi Ligën e Kampionëve.
Sukseset e tij të tjera me “Los Blancos” përfshijnë dy tituj të La Liga, dy Kupa Bote për Klube, dy Superkupa UEFA dhe dy Superkupa Spanjolle, duke e bërë atë një nga trajnerët më të suksesshëm të dekadës së fundit.