Suspendimi i italianit të Newcastle United, Sandro Tonali për shkelje të rregullave të basteve do të zbatohet në mbarë botën.
Një gjë të tillë e ka konfirmuar FIFA, që do të thotë se mesfushori aktualisht nuk është në gjendje të luajë për skuadrën e Premier League, shkruan lajmi.net.
Tonali u dënua me 18 muaj suspendim të enjten nga Federata Italiane e Futbollit (FIGC), tetë muaj prej të cilëve do të zëvendësohen me trajtim alternativ pas një marrëveshjeje me Prokurorinë Federale.
FIFA tha se FIGC kërkoi që ndalimi të zbatohej në mbarë botën, gjë që u aprovua dhe hynë në fuqi menjëherë.
“Kërkesa e paraqitur nga Federata Italiane e Futbollit për të zgjatur sanksionin që vendosi ndaj lojtarit Sandro Tonali më 27 tetor 2023 për të pasur efekt në të gjithë botën është pranuar”, tha FIFA për Reuters.
Trajneri i Newcastle, Eddie Howe tha më herët të premten se klubi ishte në dyshim për përzgjedhjen e Tonalit pasi ata nuk kishin marrë ende konfirmim zyrtar nga autoritetet italiane.
Howe shtoi se kishte një “shans të lartë” që Tonali të luante për klubin të shtunën kur ata të udhëtonin te Wolverhampton Wanderers.
Tonali iu bashkua Newcastle nga AC Milan në korrik për një tarifë të raportuar prej 70 milionë eurosh, një shumë rekord për një lojtar italian, por ai do të humbasë pjesën tjetër të sezonit si dhe Kampionatin Evropian 2024 nëse Italia kualifikohet. /Lajmi.net/