Marçelo Lipi nuk shfaqet shpesh që të flasë, por duke qenë se ai është trajneri i fundit që i ka sjellë Champions-in Juventusit pa dyshim që fjala e tij ka peshë dhe duke parë atë çfarë po bën skuadra e Masimiliano Alegrit sivjet, 75- vjeçari ka besim se “Zonja e Vjetër” do të luftojë të paktën deri në fund për titullin kampion.
“Ndoshta ju e mendoni ndryshe, por nëse më pyesni a më pëlqen Juventusi, ky Juventus, unë them se Juventusi më pëlqen gjithmonë, ndonëse e di edhe se tifozët e saj e pëlqejnë nëse fiton. Kjo, pasi ndër vite ata janë mësuar keq. Pastaj nëse hyjmë në diskutimin e lojës, unë di se në vitet e fundit dhe pati dy sezone ku ofroi një futboll të bukur, por në fund nuk fitoi, kështu… Te Juventusi duhet të fitosh dhe pikë, pasi në futboll kur merr tri pikët gjithçka është shumë e bukur, pavarësisht sesi vijnë ato. Alegri kritikohet shumë? Masimiliano ka bekimin dhe besimin tim dhe ai e di shumë mirë këtë.
Por Alegri kritikohet sepse është trajneri i Juventusit dhe kushdo që të ishte në vend të tij njësoj do të kritikohej. E njëjta gjë i ndodh edhe trajnerit të Interit, të Milanit… Sepse këto janë skuadra të dënuara për të fituar, të paktën për të luftuar deri në fund dhe nëse nuk e bëjnë atëherë kritikat janë shumë të lehta ndaj tyre. Por në rastin e Alegrit, unë mendoj se e kritikojnë sepse ai ka edhe një kulturë shumë të madhe sportive dhe i shkon gjithmonë drejt e deri në fund linjës së tij.
Por mbi të gjitha, unë mendoj se me zgjuarsinë që e karakterizon Maksin, ai do të tentojë deri në fund titullin kampion. Kush luan më bukur sivjet? Ka disa skuadra që më pëlqejnë, mes së cilave Empoli dhe Frozinone. Bëjnë një futboll vërtet të bukur dhe kjo do të thotë se në futboll dinë të luajnë edhe futboll, nuk janë vetëm skuadrat e mëdha që fitojnë vëmëndjen”, përfundoi Marçelo Lipi.
PANORAMASPORT.AL