Manchester City ka pësuar humbje të thellë në shtëpi me rezultatin 4-0 ndaj Tottenhamit në kuadër të javës së 12-të në elitën e futbollit anglez.
Kjo ishte humbja e tretë radhazi e skuadrës së Guardiolës në Premier League.
Mysafirët kaluan në epërsi në minutën e 13-të përmes James Maddison, i cili realizoi për rezultatin 1-0 pas asistimit të Dejan Kulusevskit.
Nuk kaloi shumë kohë dhe Spurs dyfishuan epërsinë e tyre duke shënuar sërish me Maddison, i cili gjeti rrjetën në minutën e 20-të për 2-0 pas asistimit të Heung-Min Son.
Tottenhami pati mundësinë të shënonte golin e tretë kur në minutën e 28-të portieri Ederson bëri një pritje të vështirë për t’ia mohuar golin Dominic Solankes.
Në pjesën e dytë ekipi i Ange Postecoglout e gjeti sërish golin, këtë herë me Pedro Porron (53’) i cili realizoi për 3-0.
Manchester City u mundua të rikthehej në lojë, por fatkeqësisht nuk ia dolën të gjejnë rrugën e rrjetës.
Erling Haaland ishte i pafat kur në minutën e 60-të goditi traversën teksa Vicario golin ia mohoi edhe Ilkay Gundoganit në minutën e 77-të me një pritje fantastike.
Pak çaste pa përfunduar takimi Tottenhami shënoi edhe golin e fundit për ta kompletuar “fundosjen” e Cityt në këtë sfidë, me Brennan Johnson (94′) që realizoi për 4-0 pas asistimit të Timo Werner.
Pas kësaj humbjeje Manchester City mbetet në kuotën e 23 pikëve dhe vazhdon në vendin e dytë në tabelë, teksa Tottenhami tashmë ka 19 dhe renditet i gjashti.