Bajern Mynih ishte shumë pranë fitores së titullit kampion sot në Bundesligë, por u ndal në një barazim 3-3 në fushën e Lajpcigut e do të duhet të presë për sigurinë matematikore të trofeut. Një trofe për të cilin po pret me padurim sidomos Herri Kejn, i cili do të shijojë të parin e karrierës.
Sulmuesi ironikisht sot ishte i dënuar që të qëndronte në tribunë, pasi ishte pezulluar për shkak të plotësimit të numrit të 5 kartonëve të verdhë. Në minutat e fundit, ai u ul në pankinë duke u bërë gati për festën, por pa ekipin e tij të pësonte gol në minutën e 95-të e kësisoj, nuk festonte dot titullin e tij të parë kampion.
Megjithatë, për veprimin e tij, ai rrezikon një tjetër dënim, pasi në teori, nuk lejohej të qëndronte në pankinë në ato momente. Sipas rregulloreve të Federatës Gjermane, pezullimi për ndeshjen e radhës për t’iu afruar fushës “nis gjysmë ore para startit të ndeshjes dhe përfundon gjysmë ore pas vërshëllimës përfundimtare”.
Kësisoj, Kejn duhej të qëndronte larg terrenit të lojës deri 30 minuta pas përfundimit të takimit në fjalë, sido që të mbyllej ai. Ndaj zbritja e tij para kohe në pistë, pritet të sjellë një tjetër ndëshkim për sulmuesin anglez, i cili po e paguan shumë shtrenjtë titullin e tij të parë të karrierës. Ngushëllimi i vetëm i Kejn është se ai mund ta shijojë këtë titull edhe nga divani në shtëpi, pasi mjafton që Bajer Leverkusen të mos fitojë nesër ndaj Frajburgut, për t’i dorëzuar trofeun Bajernit.
PANORAMASPORT.AL