Ronaldinho do të rikthehet në fushën e lojës në moshën 46-vjeçare. Klubi italian Ravenna ka konfirmuar se legjenda braziliane do të luajë në një ndeshje zyrtare më 15 nëntor, në orën 17:30, në stadiumin “Bruno Benelli”.
Sipas njoftimit të klubit, fituesi i Topit të Artë për vitin 2005 do të paraqitet me fanellën e Ravennës në derbin ndaj Forlì, një ngjarje që pritet të tërheqë vëmendje të madhe nga tifozët e futbollit.
Ronaldinho, i cili u bë ikonë e futbollit botëror me Barcelonën, Milanin dhe kombëtaren e Brazilit, u tërhoq nga futbolli në vitin 2018, ndërsa ndeshjen e tij të fundit zyrtare e zhvilloi në vitin 2015, me fanellën e Fluminense.
Gjatë karrierës së tij, braziliani fitoi Ligën e Kampionëve me Barcelonën dhe Kupën e Botës me Brazilin në vitin 2002, duke u shndërruar në një prej futbollistëve më të dashur për publikun falë teknikës, driblimeve dhe stilit spektakolar të lojës.
Kthimi i tij te Ravenna, i paralajmëruar si pjesë e një marrëveshjeje komerciale, ka ngjallur interes të madh. Tashmë, tifozët presin me padurim ta shohin edhe një herë në fushë njërin prej emrave më të mëdhenj të historisë së futbollit.