Jack Grealish, mesfushori i Manchester City (aktualisht i huazuar tek Everton), është rikthyer në qendër të polemikave. Futbollisti 30-vjeçar, në rikuperim pas një operacioni në këmbë në shkurt 2026, është kapur duke fjetur në tarracën e një lokali nate, në gjendje të dyshuar dehjeje. Sipas “The Sun”, ai mbërriti në ambient rreth orës 16:30, por vetëm një orë më pas ishte pa ndjenja. “Miqtë u përpoqën ta zgjonin. Alkooli i kushtoi shtrenjtë”, – tregoi një dëshmitar.

Ky nuk është rasti i parë. Grealish ka ndërtuar një reputacion si “party boy”, me festa luksoze nga Ibiza në Las Vegas. Më 2023, pas tripletës historike me City, ai u bë protagonist i festimeve të çmendura në disa vende brenda pak ditësh. Edhe vetë lojtari nuk e ka fshehur stilin e jetës: “Nuk do të gënjej, dal dhe festoj. Po jetoj ëndrrën time në klubin më të mirë në botë”.
Megjithatë, kritikat janë shtuar, pasi shumë e lidhin mungesën e vazhdimësisë në performancë pikërisht me jetën e tij jashtë fushe. Edhe nën drejtimin e Pep Guardiolës, disiplinimi i tij duket se mbeti një sfidë e hapur.
