Tre portierët mungojnë dhe në kushte të tilla mes shtyllave do të luajë… përgatitësi i tyre! Kështu do të ndodhë në Spanjë, saktësisht tek ekipi Arenteiro, që garon në divizionin e tretë të futbollit iberik.
Arenteiro është në emergjencë portierësh për duelin e së dielës në “Riazor” përballë Deportivo La Corunas, skuadrës historike spanjolle që është afër rikthimit në La Liga 2.
Asnjë prej portierëve të Arenteiros nuk mund të zbresë në fushë kundër skuadrës galiciane. Diego Garcia dhe Manu Figueroa janë të dëmtuar, ndërkohë që Pablo Breas nuk i lejohet të aktivizohet.
Ky i fundit ka ardhur në huazim pikërisht nga Deportivo La Coruna. Dhe në marrëveshjen mes klubeve është rënë dakord që Brea të mos luajë ndaj skuadrës me të cilën ndodhet nën kontratë.
Dhe zgjidhja vjen nga trajneri i portierëve! Arenteiro ka federuar Diego Rivas. 36-vjeçari u tërhoq nga futbolli aktiv një vit më parë. Dhe tashmë do të rikthehet mes shtyllave në një situatë tepër të veçantë.
“Klubi më kërkoi të luaja, pasi bëhet fjalë për një situatë të veçantë dhe tepër ekstreme. U përpoqëm të gjenim ndonjë alternativë në merkato, ndonjë portier të lirë, por nuk gjetëm asnjë.
Klubi bisedoi me 6-7 portierë, por nuk ishin kushtet e duhura për të firmosur me ta. Kështu që zgjidhja u gjet tek unë. Do të jem unë portieri në duelin ndaj Deportivos”, u shpreh trajneri i portierëve. I cili për një takim do të bëjë edhe portierin titullar.