Në karrierën e tij me shumë ndeshje, Havier Zaneti ka pasur mundësinë që të përballet me shumë legjenda të futbollit, mes tyre edhe me Lionel Mesin. Ai e kujton mirë këtë moment. “Kam vuajtur shumë kur e kam pasur Mesin si rival.
I kujtoj ende shumë mirë 2 gjysmëfinalet e Champions-it kundër Barcelonës. Zhoze Murinjo kishte një ide brilante për të më vendosur mua në mbrojtje për ta markuar. I kam thënë me një ton ironik: Faleminderit për detyrën e bukur që më dhe.
Por në fund shkoi mirë”, tregon Zaneti. Një sukses, që në fakt dha shumë impulse pozitive për fitoren e Champions-it. “Në atë skuadër, përpara sesa të ishim kampionë të mëdhenj, ishim njerëz. Ia dolëm që të fitonim gjithçka falë bashkëpunimit të çdo lojtari. E treguam këtë në të gjitha fushat”, tregon Zaneti. Ish-kapiteni ka folur edhe për momentin kur Tiago Mota u ndëshkua me karton të kuq.
“Mbetëm me 10 lojtarë kur Mota u ndëshkua me të kuq dhe po luanim ndaj ekipit më të mirë të momentit. Por aty doli në pah shpirti i skuadrës dhe kompaktësia e grupit. Donim me patjetër të arrinim në finale dhe të fitonim Champions-in.
Murinjo është një trajner i madh. Erdhi në momentin e duhur sepse na bindi që mund t’ia dilnim edhe në Europë. E kemi ende atë grup me lojtarët e ‘Tripletës’. Flasim shpesh”, përfundoi ish-kapiteni.
PANORAMASPORT.AL