Pas Aston Villas, një ekip tjetër i madh evropian ka shprehur interesim për sulmuesin Albion Rrahmani, i cili është pjesë e Rapidit të Bukureshtit.
Bëhet fjalë për skuadrën portugeze, Benfica që e sheh Rrahmanin si përforcim për fazën sulmuese, ka shkruar gazeta “Rekord” nga Portugalia.
Rrahmani po shkëlqen këtë edicion te Rapidi dhe sipas të gjitha gjasave do të largohet nga skuadra rumune në verë.
23-vjeçari ka shënuar 13 gola në 15 paraqitje kampionale për Rapidin, ekip me të cilin ka kontratë deri në verën e vitit 2026.
Sulmuesi kosovar iu bashkua Rapidit verën e shkuar nga Ballkani i Suharekës për 600 mijë euro, ndërsa po vlerësohet si lojtari më i mirë në Superligën e Rumanisë. Rrahmani, gjithashtu ka edhe dy paraqitje me Kombëtaren e Kosovës.