Thursday, 30. April 2026
Sport

Edhe Polonia largohet si opsion, Kosova ende s’ka caktuar miqësore për muajin qershor 

GS 30/04/2026 2 Min. Lesezeit

Kombëtarja e Kosovës ende nuk ka gjetur kundërshtarë për ndeshjet e muajit qershor.
Madje dy opsionet që ishin, Polonia dhe Shqipëria, nga sot janë të padisponueshme pasi kanë gjetur rivalët për duelet miqësore të qershorit.

Kjo, pasi Shqipëria ka gjetur kundërshtarin e dytë, që do jetë Izraeli. Kurse Polonia pritet të luajë ndaj Ukrainës.

Mediumet polake më herët këtë muaj kanë shkruar se Federata e Futbollit e Polonisë është në bisedime me Federatën e Futbollit të Kosovës për aranzhimin e miqësores në qershor.

Krahas Polonisë, Kosova është në bisedime edhe me disa përfaqësuese të tjera që nuk kanë siguruar paraqitjen në Kupën e Botës 2026.

“Dardanët” ishin afër të siguronin për herë të parë në histori paraqitjen në Botëror.

Pas miqësoreve të qershorit, Kosova në shtator nis ndeshjet e Ligës së Kombeve.

Falë ngritjes së madhe të dy vjetëve të fundit, Kosova për herë të parë do të luajë në Ligën B të Ligës së Kombeve. Do të jetë në grup me Izraelin, Austrinë e Irlandën.

Kosova fillon më 24 shtator në shtëpi ndaj Irlandës. Menjëherë më 27 shtator “Dardanët” luajnë në udhëtim ndaj Austrisë. Më 1 tetor është ndeshja Izrael – Kosovë, kurse më 4 tetor, Kosovë – Austri. Dy ndeshjet e fundit janë në nëntor. Më 14 nëntor, Kosova e pret Izraelin, kurse më 17 nëntor është ndeshja Irlandë – Kosovë.
Kosova synon ta fitojë grupin dhe edicionin e ardhshëm të paraqitet në Ligën A të Ligës së Kombeve.
Por synimi i madh i Kosovës do të jetë kualifikimi në Kampionatin Evropian të Futbollit, atë të vitit 2028.
Vitin e kaluar, Kosova kishte luajtur dy miqësore në “Fadil Vokrri” gjatë muajit qershor: Ndaj Armenisë dhe Ishujve Komore.

 

Teilen: