Karl Hainc Rumenige (68 vjeç) është një legjendë e gjallë e Bajernit të Mynihut dhe e futbollit gjerman. Ish-shefi i klubit bavarez dhe aktualisht pjesë e Këshillit Mbikëqyrës, i cili shënoi një epokë si në fushë dhe si drejtues, ka dhënë një intervistë për gazetën spanjolle “AS”. Në këtë intervistë para ndeshjes së kthimit në Madrid mes Bajernit dhe Realit, legjenda bavareze ka prekur të gjitha temat. Përveçse ka folur për rivalitetin e përjetshëm mes gjermanëve dhe spanjollëve, ai i ka kërkuar presidentit të Madridit Florentino Perez të rishqyrtojë planet e tij për Super Ligën.
Çfarë shije ju la ndeshja e parë në Mynih?
Të dy skuadrat bënë një ndeshje të madhe. Do të kishte shijuar më shumë nëse do të kishim fituar (Bajerni) 2-1, por nuk duhet të harrojmë se Reali luajti mirë dhe e meritoi barazimin.
Çfarë ju shkoi në mendje kur patë atë top nga Kros te Vinicius?
E vërteta është se më trembi pak që ai mundi ta filtronte nga ajo distancë, duke nxjerrë jashtë loje të gjithë mbrojtjen tonë.
Si ju duket Bellingami?
Reali i Madridit duhet përgëzuar për nënshkrimin e tij. Di të bëjë gjithçka ai djalë, shënon, asiston, vrapon, lufton, rikuperon topa… Ai bën gjithçka mirë. Ai e mori vendimin në favor të Madridit shumë shpejt dhe mund të them vetëm se Dortmundi u gëzua shumë kur e kuptuan që Bajerni nuk kishte më mundësi të përfshihej.
Cili do të jetë kyçi për ndeshjen e kthimit?
E di se çfarë na pret, sepse e kam përjetuar shumë herë, si kur luaja vetë futboll, ashtu edhe gjatë kohës sime në bordin drejtues të Bajernit. Të mbijetosh në “Bernabéu” është e ndërlikuar, por është e mundur. Lajpcigu na tregoi atë në 1/8 e finaleve se Reali mund të vihet në vështirësi edhe në shtëpinë e tij. Edhe miku im Guardiola gjithashtu dëshmoi së fundmi se mund t’i shkaktoni probleme Madridit në “Bernabeu”. Ajo që na ndihmon është se golat e shënuar jashtë fushe nuk kanë më vlerë, ndaj fillojmë sërish me 0-0.
Në Spanjë mendojnë se pas eliminimit të Mançester Sitit, Reali e ka shtruar rrugën drejt Champions-it numër 15…
Me gjithë respektin, BajernMadrid është klasikja e futbollit evropian. Dhe nuk e them unë, e thotë historia. Jemi përballur gjithsej 27 herë në kompeticionin më të rëndësishëm në Europë në nivel klubesh. Kjo ishte pikërisht ajo që donte miku im Florentino Pérez, apo jo?
Besoj se po i referoheni Super Ligës?
Unë kam mbajtur gjithmonë një marrëdhënie të shkëlqyer me Realin e Madridit, veçanërisht me Florentino Pérezin dhe zëvendëspresidentin Pedro Lopez. Vlerësimi dhe respekti janë ende aty, e vetmja gjë që kërkoj prej tyre është që të varrosin planet e tyre për Super Ligën. Kjo është e gjitha. A e dini se çfarë po ndodh?
Ma thoni…
Ne kemi një problem të përbashkët, por zgjidhje të ndryshme. Ne jetojmë në një botë në të cilën ka gjithnjë e më shumë klube në duart e investitorëve. Dhe kini kujdes, nuk po flasim më për miliarderë, por për miliarderë të cilët Premier Liga vazhdon t’i presë krahëhapur. Pastaj janë të ardhurat nga të drejtat televizive në Angli. Ato janë pafundësisht më të larta se në Spanjë apo Gjermani. Për klube si Reali apo Bajerni, ky është një problem i madh për faktin e thjeshtë se ne nuk e nisim në kushte të barabarta me anglezët. Dhe jam i bindur se këtu qëndron problemi i Florentinos.
Arabia Saudite kërkon gjithashtu të përfshihet në “festë”…
Kini durim. Ajo që ndodhi në lëvizjet e fundit të transferimeve nuk më shqetëson. Me pak fjalë, ata shpenzuan një pasuri por arritën të afronin shumë veteranë. Mos më keqkuptoni, unë mund ta kuptoj në mënyrë të përsosur një futbollist që shkon në Arabinë Saudite në fund të karrierës së tij. Problemi i vërtetë do të lindte nëse të rinjtë tanë do të vendosnin të ndiqnin gjurmët e tyre.
A mendoni se Florentino Perez do të ndryshojë opinion?
Ia kam bërë të qartë Perezit: Florentino, kthehu në familjen e futbollit! Familja jonë ka nevojë për Madridin dhe ka nevojë për ju. Duhet mbajtur mend se Florentino është një figurë shumë e rëndësishme në botën e futbollit. Së bashku me Bernabeun, ai është një nga njerëzit më të rëndësishëm që kanë kaluar nëpër Madrid. E njoh shumë mirë nga gjithë këto vite në krye të Bajernit. Unë udhëtoja çdo vit në Madrid për t’u takuar me të dhe Pedro López dhe për të rënë dakord për një mori çështjesh. E vetmja gjë për të cilën nuk pajtohemi është Super Liga.
Një familje që dëshmohet nga përballje epike mes dy klubeve. A nuk është kështu?
Dhe për gabim të madh që kemi bëmë në të kaluarën.
Dhe këtu po i referoheni…
Ishte miqësore. E mbaj mend shumë mirë, sepse edhe unë luajta atë ditë. I mundëm 9-1 dhe më duket se po atë ditë shkarkuan Boshkovin (Shënim: Nuk ishte kështu, në fakt Madridi do të dilte në finale të Kupës së Europës). Ishte një poshtërim i plotë, edhe sepse i kapëm praktikisht me pushime dhe tashmë kishim kaluar kohë në para sezon. Por gabuam. Pol (Braitner) erdhi në dhomat e zhveshjes pasi shënoi golin e tij ashtu si unë dhe tha: “Ne jemi të çmendur. Herën tjetër që të luajmë në Bernabeu ata do të na vrasin”. Dhe ajo ditë erdhi. Menjëherë pasi luajtëm trofeun “Santiago Bernabéu” dhe e pashë veten duke luajtur përkrah Klaus (Augentaler) si qendërmbrojtës sepse, nëse nuk do ta kisha bërë, Kamaço do të më kishte vrarë vërtet. Aty filloi gjithçka. Më pas lindi miti i bishës së zezë, megjithëse më duhet të pranoj se hera e fundit që ishim bishë e zezë ishte në gjysmëfinalen e vitit 2012, që nga ajo kohë, ata janë bërë më shumë bisha jonë e bardhë.
Dhe Reali vazhdon të fitojë dhe fitojë në Champions…
Reali i Madridit është klubi më i famshëm dhe më i suksesshëm në botë. Flitet shumë për koeficientin e klubeve të UEFA-s, por më interesant është koeficienti i klubit të dekadës së fundit. I pari është Reali, i ndjekur nga Bajerni në vendin e dytë. As ne nuk kemi qenë aq keq, kemi ngritur Champions në vitin 2013 dhe 2020. Të mos ketë dyshim që të mërkurën do të takohen dy skuadrat më të suksesshme të dekadës së fundit.
Në Bundesligë po flitet gjithashtu shumë në këtë sezon…
Mbaj mend që thashë në vitin 2013 se nuk do të përjetonim më një finale gjermane në Champions League për një kohë të gjatë dhe, 20 vjet më vonë, teorikisht është përsëri e mundur. Më pas është Leverkuseni, i cili tashmë ka një këmbë e gjysmë në finalen e Europa League. Bundesliga ka luajtur një rol të madh këtë sezon në nivel ndërkombëtar dhe do të shpërblehet me vendin e pestë për edicionin e ardhshëm të Champions League. Nëse jo, Borusia do ta kishte të vështirë ta luante sërish.
A ju ka habitur sezoni i Ksabit me Leverkusenin?
Po dhe jo në të njëjtën kohë. Po, sepse ai mori drejtimin e Leverkusenit kur ata ishin para fundit. Duhet mbajtur mend se ai ka punuar me trajnerët më të mirë në botë: Guardiola, Ançeloti, Benitez, Murinjo. Duke qenë se ai është një person shumë inteligjent, ai përvetësoi çdo detaj dhe më pas krijoi formulën e tij bazuar në të. Titulli është i merituar.
Pas njëmbëdhjetë vjet hegjemonie bavareze…
Ashtu është, prandaj nuk duket dramë të kesh mbërritur në vend të dytë në fund këtë herë. Gjysma e Gjermanisë dëshironte një kampion tjetër ndryse nga Bajerni dhe këtë sezon dëshira e tyre më në fund u realizua.
Çfarë duhet të bëjë Bajerni juaj për t’u rikthyer në krye në Gjermani?
Së pari, duhet të kemi parasysh se jemi rikthyer në gjysmëfinale të Champions League pas tri sezoneve të eliminimit në çerekfinale. Kjo tashmë është një gjë pozitive. Para se të mendojmë për vitin e ardhshëm, duhet të japim gjithçka për të ndërmarrë dy hapat e mbetur për t’u rikthyer në finale.
A ju shqetëson gjendja e Bajernit?
Gjëja më e rëndësishme është vazhdimësia dhe këtu duhet të bëjmë autokritikë. Kohët e fundit jemi larguar nga rruga jonë. Bajerni duhet ta rikuperojë atë stabilitet në të gjitha nivelet që e ka karakterizuar gjithmonë. Duhet të keni parasysh se njerëz si Uli (Hënes), Franc (Bekenbauer) dhe unë kemi qenë në krye të kësaj anije për njëqind vjet, të paktën kjo ishte ndjenja ime. Është e vështirë që kjo lloj jetëgjatësie në një pozicion të lartë të përsëritet, por Bajerni duhet të kthehet në rrugën e vazhdimësisë.
Edhe në stol?
Trajneri është një çështje që nuk më shqetëson më drejtpërdrejt që kur bëra një hap prapa si shef i klubit. Këshilla ime e vetme është që Bajerni të jetë sërish pak më hermetik.
Po për Ançelotin, çfarë mendimi keni?
Karlo është një person i shkëlqyer. Ajo që më ka bërë përshtypje te ai është qetësia. Asgjë nuk e shtyn të humbasë durimin. Ai është një zotëri nga koka te këmbët. Mbaj mend që ai na shtrëngoi duart kur ne po negocionim që ai të bëhej trajner i Bajernit dhe nuk kishte nevojë të nënshkruante asnjë kontratë sepse fjala e tij vlen më shumë se boja. Është turp që u detyruam të ndaheshim dhe e mbaj mend shumë mirë që isha unë që duhej t’i tregoja. Më pas la një frazë që nuk do ta harroj kurrë. Më tha se nuk isha më shefi i tij, por do të isha akoma shoku i tij. Dhe dijeni se ne do të vazhdojmë të jemi përgjithmonë.
PANORAMASPORT.AL