Wednesday, 15. July 2026
Sport

Egnatia dhe Vllaznia, sot në fushë për lavdinë europiane

GS 15/07/2026 2 Min. Lesezeit

Dy nga skuadrat shqiptare që marrin pjesë në kupat e Europës, Vllaznia dhe Egnatia, luajnë sot aktin e kthimit të turit të parë kualifikues, shkodranët në Conference League dhe rrogozhinasit në Champions League. Të dyja këto dy skuadra janë afër kalimit të turit, pasi favorizohen nga rezultatet e ndeshjeve të para.

Kampionët në fuqi të Egnatias barazuan 1-1 një javë më parë në Moldavi ndaj Petrokub. Trajneri Nevil Dede nuk ka në dispozicion Albano Aleksin, të ndëshkuar me karton të kuq në ndeshjen e parë. Egnatia ka bërë një merkato të mirë dhe ka shanse të mëdha për të vazhduar më tej. Tri vitet e fundit, kur kanë fituar titullin në Shqipëri, rrogozhinasit nuk kanë mundur të kalojnë asnjë tur kualifikues të Championsit.

Egnatia-Petrokub luhet në stadiumin “Arena Egnatia”, starton në orën 21:00 dhe do të transmetohet drejtpërdrejt në RTSH.

Vllaznia luan sot (ora 16:30) në Kosovë kundër Malishevës, një sfidë e gjitha shqiptare. Shkodranët gjejnë përballë ish-trajnerin e tyre, gjermanin Tomas Brdariç. Ndeshja e parë u fitua nga kuqeblutë 2-1, një rezultat që e favorizon Vllazninë për të shkuar në turin e dytë të Conference League.

Të enjten do të luajnë ndeshjet e kthimit në Conference League Elbasani dhe Dinamo. Elbasanasit barazuan 1-1 në fushën e tyre, në ndeshjen e parë ndaj Bate Borisov, kurse Dinamo u mund 0-1 në “Elbasan Arena” nga Astana. Mision më i vështirë kualifikimi për këto dy skuadra.

Teilen: