Kristian Shpendi shkëlqeu këtë sezon që lamë pas duke shënuar 20 gola me fanellën Çezenës në Serinë C. Sulmuesi po ashtu arriti që të ngjisë ekipin e tij një kategori më lart, teksa e ardhmja e shqiptarit duket se nuk do të jetë në Serinë B, aty ku Çezena do të luajë këtë vit.
Një xhevahir në skuadër, bardhezinjtë nuk kanë shumë shpresa se mund ta mbajnë Shpendin edhe për një vit. 20-vjeçari është pranë kalimit në Serinë A, ashtu si vëllai i tij Stiven që kaloi vjet tek Empoli. “Panorama Sport” mëson se Torino është destinacioni i mundshëm për Kristian Shpendit. Mes klubit të Serisë A dhe Çezenës kanë nisur bisedimet prej kohësh dhe gjithçka që mbetet është vetëm zyrtarizimi. Diçka të tillë e ka konfirmuar edhe babai i binjakëve, Aleks Shpendi ku Torino pritet të blejë sulmuesin e Kombëtares U-21.
PËRFITIMI- Madje, është zbuluar edhe shifra që Kristian Shpendi mund të përfitojë te Torino. Gazeta mëson se nëse klubet bien dakord për shifrën e kartonit të sulmuesit, shqiptari do të përfitojë rreth 500 mijë euro në sezon, duke përfshirë këtu edhe bonuset që Torino do t’i vendosë, si minuta të luajtura, asiste apo gola. Ky do të ishte padyshim një hap shumë i madh për Kristian Shpendin, i cili shihet si një sulmues me perspektivë, por gjithashtu nga ana tjetër nuk do të jetë e lehtë që ai të aktivizohet menjëherë në një ekip të Serisë A, sidomos që në sezonin e parë. Të njëjtën situatë ka përjetuar vëllai i tij binjak, Stiven, i cili pasi shkëlqeu me Çezenën u shit për 2 milionë euro, të ndara në disa këste tek Empoli. Me toskanët Stiven luajti 13 ndeshje, me një total prej 429 minuta. Normalisht që këtë sezon Stiven pritet të marrë më shumë minuta. Binjakët janë pjesë edhe e Kombëtares U-21 dhe shihen me shumë potencial për t’u grumbulluar në ekipin e parë, duke qenë se Liga e Kombeve është përpara.
KRISTI SAJETLLARI-PANORAMASPORT.AL