Drejtori sportiv i Interit, Piero Auzilio, ishte në Tiranë pak javë më parë si i ftuar në ceremoninë e diplomimit në kursin për Drejtor Sportiv në FSHF. Por, Auzilio ndoqi nga afër edhe ndeshjen Shqipëri-Çeki që përfundoi me triumfin e kuqezinjve dhe shumë pak e dinin që ai kishte futur në rreth edhe Ylber Ramadanin. “Panorama Sport” ka ruajtur një deklaratë të tij jashtë “kamerave”, të cilën kishte vendosur ta publikonte gjatë kësaj periudhe dhe ku ka ditë më të mirë sesa kjo, kur zbulohet lajmi që Interi po ndjek dhe mund të afrojë një tjetër xhevahir të Kombëtares pas Kristjan Asllanit. Pyetjet janë bërë nga Drejtori Teknik i FSHF-së, Fulvio Pea.
Si arritët të bëheshit drejtori sportiv i një klubi si Interi?
Nuk e kam nisur menjëherë si drejtor sportiv, po si ndihmëstrajner tek ekipi ku luaja dhe e mbylla me futbollin për shkak të disa dëmtimeve të rënda. Ishte Pro Sesto, në Kategorinë e Tretë. Doja të bëja trajnerin, kështu që takova presidentin e kësaj skuadre, një person që më ndryshoi jetën. Fillova të merrem më shumë me merkaton, me marrëdhëniet e lojtarëve dhe pas disa vitesh mund ta quaja veten një menaxher në 360 gradë. Në 1998, hyj tek Interi, isha pak a shumë 25 vjeç, shumë i ri dhe jo menjëherë në ekipin e parë, por si sekretar i sektorit të të rinjve. Më pas menaxher i ekipit dhe në 2014 kalova në postin e drejtorit sportiv të klubit. E gjithë kjo eksperiencë e ndryshme nga njëra-tjetra, më ka mësuar shumë punë të ndryshme. Të punojë në sektorin e të rinjve ishte një fat i madh, të jep një ndjesi të veçantë. Të zbulosh një talent dhe ta ndjekësh atë derisa ta rritësh. Të jep lumturi, nuk paguhesh menjëherë, por më vonë ndihesh i kënaqur ku ai bën një kontratë si profesionist.
Keni kaluar dhe ndjekur shumë lojtarë të rinj, por cili është ai futbollist që ju ka bërë krenar?
Janë shumë, të përmend emra, mund të them Kovaçiç, edhe pse ndoshta nuk është marrë që në moshë shumë të vogël, por ishte një 18-vjeçar gati për ekipin e parë që erdhi nga Dinamo Zagrebi dhe që merrte shumë përgjegjësi në rolin e tij. Pastaj karriera që ka bërë, te Real Madridi dhe Çelsi, Mançester Siti. Ka qenë edhe një rast tjetër ku ishte edhe Atletiko Madridi në garë. Kur merr avionin dhe nisesh për një lojtar e kthehesh pa një lojtar, dukesh si idiot, kështu që duhet të bësh çdo gjë për t’u kthyer me lojtarin. Risku ishte shumë i lartë, sepse Atletiko ishte para nesh. Mendova do t’i luaj të gjitha për të gjitha. Shkova aty për të mbyllur marrëveshjen, por nuk kishim firmosur ende. Shkuam të shihnim një ndeshje, Rasing-Hurakan dhe Lautaro shënon tre gola e fiton një penallti. Kështu që ia vlente të bënim një sakrificë ekonomike për të.
Kalimi nga të rinjtë tek ekipi i parë i Interit, si janë shanset për ata lojtarë?
Përgjegjësia e dikujt që merret me të rinjtë është që të shohë një futbollist të ri që të rritet dhe të kapë skuadrën e parë. Ky është maksimumi i objektivit, por në realitet jo gjithmonë mund të arrihet. Kur flasim për klube të mëdha si Interi që duhet të fitojnë, është shumë e vështirë që të kalojë një futbollist nga të rinjtë në skuadrën e parë. Shumë pak ia kanë dalë ta arrijnë direkt, si Baloteli, Santon, Di Marko, edhe pse ka pasur një periudhë huazimi, është rritur te ne. Në futbollin italian këto vite kemi bërë shumë punë me të rinjtë, që ndoshta një pjesë janë sakrifikuar edhe për lojtarë më të rëndësishëm.
Ndonjë shembull?
Po ju them një rast që vlen për të gjithë. Në 2009-2010, në vitin e tripletës, viti më i rëndësishëm në historinë e Interit, do të blinim Tiago Motën dhe Militon. Xhenoa i vlerësonte për një vlerë 40 milionë euro, sot duken pak për vlerat e dy futbollistëve dhe Morati na tha që nuk shpenzoj dot më shumë se 20 milionë euro dhe shikoni mundësinë për të përfshirë edhe ndonjë lojtar për të arritur marrëveshjen. Në fund, gjetëm një zgjidhje dhe dërguam Bonuçin dhe kur humbet një lojtar si ai që më vonë u bë kapiten i Juventusit dhe kombëtares italiane dhe që ka bërë një karrierë të madhe e ti e ke sakrifikuar për 5 milionë euro, por edhe lojtarë të tjerë si Pexhorini, Akuafreska për të plotësuar ato 20 milionë që mungonin. Humbëm disa të rinj, por në fund të vitit fituam “Tripletën” dhe të gjithë ishin të lumtur, të kënaqur.
Si ka qenë të punosh tek Interi si drejtor sportiv?
Nëse do të bëja një përshkrim të punës në këto vite, unë kam punuar me tri shoqëri të ndryshme tek Interi. Morati, presidenti më i madh në historinë e Interit, që ishte edhe një person, i cili merrte pjesë edhe në zgjedhjen e futbollistëve, i pasionuar dhe tifoz i këtij ekipi dhe që kuptonte shumë nga futbolli. Fjala e fundit ishte e tij. Nëse 8 nga 10 zgjedhje ishin, trajner-drejtor, 2 prej tyre ishin zgjedhje të Moratit, sepse ishte një njohës i mirë i lojës. Në një klub është presidenti, drejtori sportiv dhe trajneri, tri figura të rëndësishme që përfaqësojnë të gjithë klubin. Nga të tre, presidenti dhe trajneri janë pjesë kyçe, dhe drejtori është mes tyre, në shërbim të tyre dhe duhet të bëjë atë ndërmjetësin në momente të vështira të këtyre dy figurave. Trajneri do gjithmonë lojtarët më të fortë, ndërsa presidenti do të shpenzojë gjithmonë sa më pak. Ti je në mes dhe duhet të bësh që kjo gjë të funksionojë.
Është ndryshe tani?
Më pas kaluam për dy vite me pronarë indonezianë, Tohir, dhe ka qenë një rrugëtim i rëndësishëm dhe po ashtu me pronarët kinezë. Kaluam nga një strukturë si familje me Moratin, në një shoqëri të strukturuar, me njerëz që kishin punuar kudo. Më ka hapur në mendime dhe arrita të kuptoj se futbolli ka edhe këtë pjesën tjetër dhe duhet të respektosh edhe figura të tjera profesionale që vijnë nga të tjera realitete. Me njerëz që kishin punuar te Junajtidi, Totenhemi dhe vende të tjera. Më përpara futbolli ishte më i thjeshtë, ndërsa tani janë vendosur shumë rregulla dhe kufizime. Kishe paratë, i shpenzoje, me presidentë si Morati, Berluskoni, Anjeli që vendosnin ata sa do të shpenzonin dhe nëse humbisnin 5 milionë euro në vit, nuk ishte problem fare. Sot, nuk mund të shkosh dhe të blesh të gjithë lojtarët më të mirë që janë në qarkullim, ka “Fair Play” Financiar. Është një koncept i thjeshtë. Interi nuk mund të shpenzojë sa Çelsi, Junajtidi apo Lestëri dhe këto ekipe janë katër herë më superioret sesa zikaltrit. Vetëm nga e drejta televizive në Premier Ligë janë 4 miliardë euro, në krahasim me 1 miliard që merr Seria A. Mundësitë ekonomike edhe për ekipet më të mira italiane si Interi, Milani, Juventusi, janë shumë të pakta, por duhet ta respektojmë këtë raport dhe të punojmë në merkato në metoda të ndryshme. Në finalen e Champions-it me Sitin, Interi, nga 11 titullarët, 7 ishin marrë me parametër zero, një i formuar te të rinjtë që ishte Di Marko dhe Açerbi me Lukakun ishin në huazim. Por, humbëm ndaj një skuadre me superkampionë si Mançester Siti.
Cilat janë kushtet që përdorni kur zgjidhni një trajner?
Nuk ka ndonjë sistem unik apo ndonjë model. Përcaktues është momenti. Në kohën time tek Interi kam ndërruar disa trajnerë. Nëse marrim Konten, ishim me Spaletin dhe luanim me një 4- 2-3-1 dhe Konte kalon me tre mbrojtës. Pastaj argumenton dhe kërkon lojtarë të përshtatshëm për këtë skemë.
KRISTI SEJATLLARI – PANORAMASPORT.AL