Ditët e pushimeve kanë mbaruar dhe kampionati i 88-të kombëtar i futbollit është gati të ngrejë siparin me pesë ndeshjet e javës së parë, duke filluar me atë të së premtes, Vllaznia-Skënderbeu.
Abissnet Superiore do të vazhdojë të shfaqet ekskluzivisht në ekranet e kanaleve të Radio Televizionit Shqiptar, ku do të transmetohen të gjitha ndeshjet, si dhe emisione të shumta me analiza e biseda me protagonistët.
Kampionati i sivjetëm do të jetë ndryshe nga ai i kaluari, duke filluar që nga formula. Nuk do të ketë më Final Four, pra me katër skuadrat më të mira që ndesheshin në përfundim të sezonit të rregullt për të përcaktuar skuadrën kampione. Do të ketë sërish ndarje, por tani lufta e titullit nuk do të jetë më ekskluzivitet i katër të parave.
Në përfundim të dy fazave, gjashtë skuadrat me renditjen më të mirë do të ndeshen në dy faza me vajtje-ardhje, me pikë të përgjysmuara për të nxjerrë kampionen e vendit dhe pjesëmarrësit në kupat e Evropës, ndërsa katër skuadrat e fundit të tabelës do të ndeshen për të përcaktuar ato që bien në Kategorinë e Parë.
Një risi e madhe e sezonit të ri do të jetë aktivizimi me detyrim që nga fillimi, të paktën për një pjesë loje, i një lojtari me pasaportë shqiptare të lindur në vitin 2007 e më pas, një lëvizje që synon të përgatisë lojtarë më të fortë për skuadrat kombëtare.
Ndryshimet e reja synojnë një kampionat me më tepër spektakël, paparashikueshmëri dhe sigurisht tërheqjen e një numri më të madhe tifozësh në stadiume.