Friday, 18. September 2026
Sport

Eksodi te Kosova vazhdon, dy lojtarë të tjerë i japin fund aventurës me përfaqësuesen dardane

GS 18/09/2026 3 Min. Lesezeit

Muaji shtator ka sjellë disa ndryshime të rëndësishme në përfaqësuesen e Kosovës, në prag të ndeshjeve të Ligës së Kombeve.

Pas Amir Rrahmanit dhe Florent Hadërgjonajt, edhe dy emra me peshë në historinë e përfaqësueses, Valon Berisha dhe Fidan Aliti, kanë njoftuar largimin nga Kombëtarja.

Ndryshe nga rastet e Rrahmanit dhe Hadërgjonajt, vendimi i Berishës dhe Alitit është komunikuar në mënyrë të qetë dhe përmes kanaleve të Federatës së Futbollit të Kosovës.

Valon Berisha, 33 vjeç, e mbyll aventurën me Kosovën pas 52 paraqitjesh dhe katër golash. Mesfushori i Zyrihut e ka cilësuar vendimin si një nga momentet më emocionale të karrierës së tij, duke kujtuar rrugëtimin që nisi kur zgjodhi të përfaqësonte Kosovën, pavarësisht se kishte mundësinë të luante për Norvegjinë.

Në mesazhin e tij, Berisha thekson se vendimi për t’iu bashkuar Kosovës erdhi nga dëshira për të përfaqësuar vendin e origjinës dhe për të qenë pjesë e ndërtimit të përfaqësueses në arenën ndërkombëtare.

Ai veçon edhe golin ndaj Finlandës si një nga momentet më të rëndësishme të karrierës së tij me fanellën dardane.

Berisha falënderoi bashkëlojtarët, trajnerët, stafin, Federatën e Futbollit të Kosovës dhe tifozët, duke bërë të qartë se edhe pse nuk do të jetë më në fushë, do të vazhdojë ta mbështesë përfaqësuesen.

“Kur një herë e ke veshur këtë fanellë, ajo nuk hiqet më kurrë prej teje”, është mesazhi me të cilin ai e mbylli deklaratën e tij.

Edhe Fidan Aliti ka vendosur t’i japë fund karrierës ndërkombëtare. Mbrojtësi 32-vjeçar largohet nga përfaqësuesja pas 64 ndeshjesh me Kosovën.

Aliti e përshkroi vendimin si një nga më të vështirët e karrierës, duke kujtuar vitet e kaluara me ekipin kombëtar, nga emocionet e fitoreve te zhgënjimet e humbjeve.

Mbrojtësi u shpreh krenar që ishte pjesë e gjeneratës që ndihmoi Kosovën të ndërtonte historinë e saj në garat ndërkombëtare. Ai veçoi kontributin e bashkëlojtarëve, trajnerëve, stafit dhe tifozëve, ndërsa një falënderim të veçantë ia dedikoi familjes së tij.

Aliti theksoi se largimi nga Kombëtarja nuk do të thotë shkëputje nga Kosova, duke nënvizuar se do të mbetet gjithmonë një tifoz i përfaqësueses.

“Po largohem nga Kosova si futbollist, por kurrë si tifoz i saj”, ishte një nga mesazhet e tij në fund të deklaratës.

Dy largimet vijnë në një moment të rëndësishëm për përfaqësuesen e Kosovës, e cila vijon përgatitjet për sfidat e radhës dhe njëkohësisht po kalon një proces ndryshimi në përbërjen e ekipit, me disa prej lojtarëve që kanë qenë pjesë e viteve të para të përfaqësimit ndërkombëtar tashmë jashtë fushës./Top Channel

Teilen: