Sunday, 12. April 2026
Sport

Elbasani, Gvozdenoviç: Do të rikthehemi te fitorja

GS 12/04/2026 3 Min. Lesezeit

Elbasani kërkon rikthimin te fitorja në “Abissnet Superiore” pas humbjes në ndeshjen e fundit me Dinamon. Edhe pse përballë do të ketë Partizanin, një skuadër e etur për pikë, trajneri i verdhebluve, Ivan Gvozdenoviç pranon se skuadra e tij do të bëjë maksimumin për të marrë tri pikët. Ai ka kërkuar përqendrim maksimal nga lojtarët e tij në këto 6 javë të mbetura.

Elbasani kërkon patjetër rikthimin tek fitorja në kampionat, teksa të hënën, në “Elbasan Arena” do të presë Partizanin. Një përballje që në kampin verdheblu është vlerësuar maksimalisht, për më tepër që duelet mes tyre këtë edicion kanë qenë tepër të luftuara. Në daljen para mediave, trajneri Ivan Gvozdenoviç, pohon se skuadra është gati për ta kaluar me sukses edhe këtë sfidë.

“Nesër përballë kemi Partizanin, një skuadër shumë e mirë, e fortë, në një formë të mirë për momentin, nesër është një derbi. Skuadra është në gjendje të mirë, jemi gati për këtë sfidë”.

“Çdo ndeshje me këtë kundërshtar ka qenë e fortë, interesante, edhe nesër pres një ndeshje të fortë. Si gjithmonë, ne do të kërkojmë të japim maksimumin në fushë dhe të dalim me një rezultat ozitiv”.

Barazimi në kupë ndaj Egnatias, ka ngritur disi moralin e ekipit, edhe pse Gvozdenoviç thekson se asnjëherë nuk kanë vuajtur nga ky problem, edhe pas humbjes javën e kaluar në kampionat ndaj Dinamos.

“Jemi mirë, jemi të qetë. Edhe pas ndeshjes me Dinamon unë isha i qetë, sepse kemi një grup të fortë. Djemtë reaguan mirë kundër Egnatias në ndeshjen e Kupës, nesër kemi një ndeshje tjetër, me tjetër ambicie, jemi gati taktikisht, psikologjikisht dhe fiziksht”.

Në fund, ai vlerëson atë që ka treguar Elbasani deri më tani, por kërkon përqendrim maksimal në gjashtë javët e mbetura.

“Deri tani jemi në rregull, jo vetëm ne por çdo skuadër mund të bëjë edhe më mirë, por kampionati është shumë i vështirë. Kemi gjashtë javët e fundit dhe çdo pikë ka vlerë. Mund të themi se jemi në rregull, por kemi shumë punë përpara, do shikojmë javë pas jave”.

Ndeshja me Partizanin do të luhet të hënën në orën 19:00, ku pritet një interesim i madh nga ana e tifozerisë, ndërsa siç dihet tashmë, hyrja për femrat në stadium do të jetë sërish falas.

Teilen: