Elbasani vijon momentin e shkëlqyer në Superiore. Verdheblutë triumfuan me rezultatin 2-1 ndaj Bylisit, në një ndeshje plot emocione, tension dhe vendime të rishikuara nga VAR-i.
Pjesa e parë nisi e balancuar, por momenti vendimtar erdhi mes minutave 20’ dhe 25’. Bruno i Bylisit u përjashtua me karton të kuq, pas ndërhyrjes së ashpër ndaj Tsages. Fillimisht gjyqtari Maletaj lejoi vazhdimin e lojës, por pas ndërhyrjes së VAR-it ndryshoi vendimin dhe la miqtë me 10 lojtarë.
Nga ajo goditje e dënimit, Diallo u tregua mjeshtëror, një ekzekutim perfekt që përfundoi në rrjetë dhe i dha Elbasanit avantazhin 1-0 në minutën e 25-të.
Pak minuta më vonë, verdheblutë gjetën sërish golin. Në minutën e 38-të, pas një penalltie të akorduar nga Maletaj për faull ndaj Diallos, vetë sulmuesi mori përsipër ekzekutimin dhe shënoi sërish, duke dërguar shifrat në 2-0. Episodi solli edhe tension në fushë, me disa kartonë të verdhë për të dyja skuadrat.
Në fillim të pjesës së dytë, Aurel Marku ngushtoi rezultatin në 2-1 me një goditje të saktë me kokë, duke rikthyer shpresën për Bylisin. Por Elbasani administroi mirë avantazhin dhe mbajti nën kontroll ndeshjen deri në fund.
Në minutën e 80-të, VAR-i u bë sërish protagonist. Maletaj u thirr të rishikonte një episod ku Ibrahim Abas ndërhyri ashpër ndaj Markut. Vendim final: karton i kuq për lojtarin e Bylisit, duke vulosur një ndeshje plot tension.


