Nën drejtimin e trajnerit Erkand Karaj, Kombëtarja shqiptare e basketbollit vijon prej të dielës përgatitjet për ndeshjen kundër Austrisë. Një sfidë e vlefshme për parakualifikueset e Kupës së Botës 2027 që do të luhet të enjten në orën 19:30 në pallatin e sportit “Dhimitraq Goga” në Fllakë.
Ndonëse do të kenë përballë një kundërshtar të vështirë si Austria, morali në kampin kuqezi duket lartë. Eldi Hysa flet nga grumbullimi i Kombëtares, teksa thekson se klima në grup është shumë e mirë dhe se të gjithë besojnë te fitorja ndaj austriakëve:
“Kemi zhvilluar edhe seanca e para stërvitore, ku të gjithë djemtë janë shumë pozitivë për të marrë një rezultat sa më të mirë në këtë ndeshje dhe presim fitore. Kemi mjaft punë edhe pse në një afat shumë të shkurtër kohor, siç kem folur edhe me trajnerin e stafin, do të vendosim disa rregulla dhe do të vazhdojmë që ti perfeksionojmë ato sa më shumë të jetë e mundur deri në ditën e ndeshjes”, deklaron Hysa.
Pasi shkëlqeu në Kampionatin Europian U18, Viktorio Hida do të veshë për herë të parë fanellën e Kombëtares së të rriturve. 18- vjeçari tregon emocionet e tij në këto ditë të para të stërvitjeve: “Ndihem shumë mirë dhe i nderuar që jam pjesë e ekipit Kombëtar për të rritur. Klima në skuadër është shumë e mirë, të gjithë djemtë janë shumë optimistë dhe pozitivë për ndeshjen e të enjtes ndaj Austrisë. Për rezultatin na mbetet të presim fushën”, shprehet 18-vjeçari.
Shqipëria do të kërkojë kështu suksesin e parë në Grupin C në para-kualifikueset e Kupës e Botës 2027, pas humbjes së pësuar në muajin shkurt në transfertën kundër Armenisë.