Zvicra mundi mbrëmjen e kaluar Suedinë në Solna, por ajo që mori më shumë vëmendje ishte fakti se penalltinë vendimtare të takimit e mori përsipër ta godiste Granit Xhaka. Për herë të fundit kapiteni i Zvicrës kishte ekzekutuar një të tillë në mars të 2018-ës gjatë fitores së thellë (6-0) të Zvicrës në miqësoren përballë Panamasë.
Vetë Xhaka në fund të ndeshjes shpjegon gjithçka. “Breel (Embolo) mori topin për të goditur penalltinë, por më pas mu afrua dhe ma dha mua topin. Herën e fundit që humba një penallti ka qenë kundër Polonisë në 2016-ën. Pas atij episodi nuk kishte më kuptim që të godisja unë penalltitë pasi në ekip ishte edhe Xherdan Shaqiri, i cili ishte i saktë nga pika e bardhë”, tha 33-vjeçari, i cili shndërroi në gol penalltinë e fituar nga Saw.
Për këtë çështje foli edhe komisari teknik i Zvicrës, Murat Yakin, i cili pas ndeshjes tha se kapiteni ishte caktuar prej tij që të godiste penalltitë. “Mu bë qejfi që Xhaka mori përsipër penalltinë pasi e kisha caktuar atë si goditësin e parë në fillim të ndeshjes. Ky ishte plani ynë dhe gjithçka shkoi siç duhej. Gëzohem që mori këtë përgjegjësi pasi është njëri prej lojtarëve me më shumë eksperiencë në ekipin tonë”, tha Yakin.