Gjermania i dha fund Euro 2024-ës në shtëpi, duke u mposhtur nga Spanja 2-1 pas 12 minutave të luajtura në Shtutgart, megjithatë në kampin gjerman kanë arsye për t’u ndjerë keq, sidomos një ditë pas ndeshjes.
Një prekje e topit me dorë nga Cucurella në minutat e fundit të shtesës, pak para se Merino të shënonte golin me vlerë kualifikimi, u injorua nga arbitri Anthony Taylor, që vendosi të mos akordojë penallti dhe as të konsultohet me VAR-in, duke shkaktuar zemërim të madh te gjermanët.
Kështu bëhet me dije se Sandro Wagner, ndihmës i Nagelsmann, ka shkuar në dhomat e zhveshjes së arbitrit britanik dhe ka lëshuar një lumë sharjesh e ofendimesh ndaj Taylor, të cilin e ka quajtur edhe shkaktarin direkt të eliminimit të “panzerave”.
Nga ana tjetër Nagelsmann u mjaftua me një deklaratë të kontrolluar pas ndeshjes, ku gjithsesi theksoi se nuk e kupton arsyen pse arbitri nuk akordoi penallti për Gjermaninë, kur kishin mbetur pak minuta nga fundi i takimit.
Edhe media gjermane ka vënë në shënjestër pikërisht britanikun Taylor, duke kërkuar shpjegime për atë vendim të quajtur të padrejtë prej tyre, teksa kanë sjellë në vëmendje edhe faktin që britaniku është bërë shpesh protagonist në përballje të tilla.
Më e fundit ka qenë finalja e Europa League e 2023-shit mes Romës dhe Sevillas, e fituar nga spanjollët, por pas ndeshjes Jose Mourinho e priti Taylor në garazhin e stadiumit, për t’i zbrazur një lumë sharjesh e ofendimesh.
“Këto gabime vendimtare, njëri pas tjetrit, nga i njëjti arbitër, janë të vështira për t’u pranuar, sidomos sot, në kohën e VAR-it”, thekson në shkrimin e saj prestigjozja gjermane BILD.