“Juventusi është shumë i fortë në mbrojtje, jo vetëm me topin, por edhe pa të. Ata po ndërtojnë një ekip që përpiqet të mbajë kontrollin e lojës, duke qëndruar mirë të pozicionuar prapa. Ndoshta me Vlahovicin ose pa të, mund të jetë ndryshe.”
Kështu e prezantoi trajneri i Aston Villës, Unai Emery, sfidën e Ligës së Kampionëve kundër bardhezinjve. Emery rikuperon Konsa dhe Kamara, ndërsa nuk do të ketë në dispozicion Onana dhe Ramsey.
“Më pëlqen shumë ky format i Ligës së Kampionëve. Mendoj se shumë skuadra mund të kenë më shumë kohë për të korrigjuar disa gabime. Natyrisht, po shohim renditjen,” shtoi Emery.
“Juventusi është favorit nesër, duhet të jemi të vëmendshëm dhe të organizuar, veçanërisht në nivelin mbrojtës,” tha mbrojtësi Pau Torres, i cili ishte pranë Emery në konferencën për shtyp.
“Vlahoviç është një nga sulmuesit më të fortë në Europë. Nëse nuk do të jetë nesër, nuk ka shumë rëndësi, sepse Juventusi është një ekip me shumë alternativa të forta. Jemi të gatshëm për këtë sfidë dhe kemi punuar shumë për t’u përgatitur dhe për të rigjetur një fitore që mungon prej kohësh.”