Ka qenë kohë, siç thuhet, e pamjeve bardhezi.
Imagjinojeni vetë se kur Anglia ka fituar për herë të fundit, dhe të vetme, një titull të madh ndërkombëtar. Kjo ndodhi në motin e largët 1966, në finalen e Kupës së Botës në “Wembley” ndaj Gjermanisë, ndërsa sot pas 58 viteve, shpikësit e futbollit do të kenë një mundësi nga ato që u vijnë rrallë.
Në orën 21:00, në “Olympiastadion”, të Berlinit, Anglia e trajnerit Garreth Southgate do të luajë finalen e Kampionatit Evropian kundër Spanjës, ku edhe pse tekniku dhe lojtarët e dinë që nuk janë favoritë, por gjithsesi në një ndeshje të tillë hyhet vetëm për fitore.
Lajmi i mirë është që “Tre Luanët” nuk kanë asnjë dëmtim, dhe asnjë mungesë për kartona
Mbrojtësi Guehi u kthye nga pezullimi, ndërsa Southgate ka dilema për skemën dhe nëse mbrojtësi i majtë, Luke Shaw, do të jetë apo jo titullar. Anglia mund të luajë me 3 ose me 4 mbrojtës, ndërsa treshja ofensive Foden-Bellingham-Kane pritet në fushë.
“Të gjithë lojtarët janë gati, dhe kjo është shumë e rëndësishme. Ndoshta, jo shumë e zakonshme kur arrin në finale. Ne jemi shumë të emocionuar në prag të kësaj sfide. E qartë që skuadra është përmiërsuar javët e fundit, dhe ka treguar karakter e qendrueshmëri të fuqishme. Ka qenë një privilegj për mua që të punoj me këta lojtarë. Kemi një mundësi të mrekullueshme, që të arrijmë atë qëllim për të cilin erdhëm këtu”,- u shpreh tekniku Southgate, gjatë konferencës zyrtare për shtyp.
Përtej bilanceve ndaj Spanjës, që janë të mira në përgjithësi, por negative në 20 vitet e fundit, Southgate dhe djemtë e tij kanë detyrë që të hedhin një hap më tej sesa në Evropianin e kaluar.
Në “Wembley” të Londrës në 2021 u mundën në finale nga Italia pas gjuajtjes së penalltive, ndërsa tani detyra është të fitojnë ndaj “Furive të Kuqe” në finalen e parë në histori jashtë territorit anglez. /i.m /abcnews.al