Enea Mihaj ka nënshkruar për Atlanta United. Mbrojtësi i Kombëtares ka vendosur ta vazhdojë karrierën në elitën e futbollit amerikan.
Kontrata e firmosur nga Mihaj është e vlefshme deri në vitin 2028 me opsion rinovimi dhe për një sezon tjetër. Klubi amerikan saktëson se Mihaj do të mund të luajë për Atlanta United nga data 24 korrik, kur të hapet dritarja e dytë e transferimeve.
Mbrojtësi shqiptar pritet të vendoset kështu përballë Leo Mesit. Atlanta nuk po kalon periudhën më të mirë në “MLS”. Kjo pasi aktualisht mban vendin e 14-të.
Për Enea Mihajn kishte interes edhe nga Italia, por asgjë nuk u konkretizua. Atlanta e afron si lojtar të lirë, pasi 26-vjeçari kishte përfunduar kontratën me Famalicaon në Portugali.