Te Flamurtari i gjysmës së parë të sezonit pothuajse gjithçka ka shkuar keq, me vendin e parafundit dhe i rrezikuar seriozisht për të rënë nga kategoria, pavarësisht investimeve të mëdha. Skuadra ka dhënë ndonjë sinjal sporadik, por kryesisht ka vuajtur në 18 javë kampionat, sidomos në lojën mbrojtëse.
E vetmja notë pozitive në radhët e vlonjatëve i takon sulmuesit Erald Maksuti. Jo vetëm për 5 golat e shënuar. Lojtari 21-vjeçar ka rezultuar blerja më e goditur në morinë e afrimeve që klubi bëri në verë. Nga sulmuesit shqiptarë, ai është i treti në listën e golashëneusve më të mirë, pas Balajt dhe Bregut.

Maksuti është shndërruar në një lider të sulmit të Flamurtarit, pavarësisht moshës së re. Me nivelin që po tregon ai me siguri do të tentohet nga klubet më të mëdha në vend, apo edhe nga ata të kampionateve të huaja. Jo më kot Maksuti është grumbulluar edhe nga Kombëtarja U-21.
Parametrat fizikë janë një “armë” e fortë e sulmuesit, ndërsa aktivizimi i rregullt në Superiore dhe golat e shënuar përbëjnë numrat që plotësojnë “pasaportën” e tij për të bërë hapa përpara në karrierë. Vlonjatët kanë në skuadër një element, me të cilin mund të mburren.


