“Momenti është gjithçka kemi”. Këto fjalë janë të shkruara në qafën e portieres së Gjermanisë, Ann-Katrin Berger. Fjalët janë domethënëse për futbollisten, e cila është protagoniste e një historie të fortë personale.
Ato fjalë tregojnë udhëtimin e saj në luftën me sëmundjen e kancerit. Ato fjalë i shërbejnë pikërisht për të mbuluar shenjat që i ka lënë kjo betejë e gjatë.
Berger kishte qenë në skuadrën e Gjermanisë që arriti në finalen e Euro 2022, por gjatë turneut ajo mësoi se kanceri i tiroides i ishte rikthyer për herë të dytë.
Por tani, tri vjet më vonë, Berger jo vetëm që është rikuperuar plotësisht, por është rikthyer duke performuar në nivelin më të lartë për vendin e saj. Mbrëmjen e kaluar heroina e portës gjermane ishte autore e një takimi që nuk do të harrohet prej askusjt. Gjermania mundi që të eliminonte Francën në çerekfinale pasi 34-vjeçarja ishte autore e 9 pritjeve gjatë 120’ lojë ndërsa skuadra e saj luajti me një lojtare më pak për plot 107 minuta. Ajo bëri pritjen e turneut në kohët shtesë si dhe në goditjet e penalltive priti dy tentativa të rivaleve si dhe konvertoi një vetë.