Kombëtarja U-19 mbylli me një barazim 2-2 ndaj Norvegjisë ndeshjet e raundit të parë të kualifikueseve të Kampionatit Europian 2027 për këtë grupmoshë. Në takimin e zhvilluar në “Shtëpinë e Futbollit”, kuqezinjtë e drejtuar nga trajneri Fatjon Tafaj treguan karakter, duke rikuperuar disavantazhin prej dy golash. Të dy golat për Shqipërinë u realizuan nga Gabriel Kulla.
Trajneri Fatjon Tafaj e nisi ndeshjen me këtë formacion: Huli, Cekrezi, Sylejmani, Asani, Gecaj (C), Vogli, Llana, Blini, Durmishi, Kulla dhe Sheji.
Norvegjia kaloi në avantazh të dyfishtë në pjesën e parë falë golave të Solberg dhe Gosik, duke e mbyllur 45-minutëshin e parë në shifrat 0-2. Në pjesën e dytë, Shqipëria reagoi menjëherë dhe ngushtoi diferencën në minutën e 52-të me Kullën. Kuqezinjtë krijuan disa raste të mira dhe këmbëngulja u shpërblye në minutat shtesë, kur ishte sërish Kulla ai që gjeti rrugën e rrjetës, duke vendosur baraspeshën përfundimtare 2-2.
Në takimin tjetër të grupit, të luajtur në stadiumin “Niko Dovana”, Luksemburgu triumfoi 3-0 ndaj Maltës.
Shqipëria e mbyll këtë raund në vendin e tretë të grupit B4 me 4 pikë të grumbulluara. Të gjitha ndeshjet e grupit u zhvilluan në Shqipëri në datat 25, 28 dhe 31 mars, nën organizimin e Federatës së Futbollit, në kuadër të raundit të parë kualifikues të Kampionatit Europian U-19 2027.