Nga Hergi Llupi
Më pak se një javë nga kënaqësia e tyre në derbin e ndeshjes së parë, Inter synon të përfundojë atë që nisi në sfidën e parë kundër Milanit në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Champions League, ku zikaltërit fituan me shifrat 0-2 ndaj kushërinjve të tyre.
Pasi Interi kaloi me dy gola epërsi në ndeshjen gjysmëfinale të Champions League, “Derbi della Madonnina” i pestë dhe i fundit sezonit vendos nëse do të jenë zikaltërit apo kuqezinjtë të cilët do të prekin finalen e madhe të Stambollit. Interi i Simone Inzaghit është ringjallur në këtë pjesë të fundit të sezonit, ku zikaltërit kanë fituar të pesta ndeshjet e fundit të Serie A, duke u pozicionuar kështu edhe në vendin e tretë të tabelës së ligës italiane me 66 pikë, tre më pak se Juventus i vendit të dytë. Lufta për një pozicion në Champions League për sezonin e ardhshëm është shumë e ashpër dhe Inter po bën përpjekjet për të qenë në zonën “blu”.
Interi mund të prekë finalen e Champions League pas 13 vitesh, kur herën e fundit zikaltërit me Mourinhon si trajner u ndeshën në finalen e Madridit kundër bavarezëve të Bayern Munich dhe dy gola të argjentinasit Diego Milito ishin vendimtare për të ngritur në qiellin e ishullit Iberik trofeun “veshllapush” të klubeve. Interi është i kompletuar në formacionin e tij ku i ka të gjithë lojtarët në dispozicion. Lajm i mirë për zikaltërit është se edhe sulmuesi belg Romelu Lukaku është rikthyer në formën e tij më të mirë. Inzaghi dhe skuadra janë duke mbajtur një gjendje psikologjike stabël dhe karakteri i tyre luftarak ka bërë që deri më tani ata të ringrihen dhe të tentojnë mrekullinë e sezonit.
Nga ana tjetër, Milan nuk është në një gjendje të mirë psikologjike kohët e fundit. Ekipi i Piolit në pesë ndeshjet e fundit të ligës italiane, ka arritur të marrë 2 fitore, 2 barazime dhe 1 humbje. Në ndeshjen e fundit e cila u luajt në fundjavë, Milan u mposht nga Spezia në transfertë me shifrat 2-0. Në përfundim të kësaj sfide, ultrasit e kuqezinjve kërkuan një bisedim me lojtarët dhe trajnerët dhe sipas informacioneve nga mediat italiane, tifozët i kërkuan skuadrës të ruante përqëndrimin dhe të bënin maksimumin në ndeshjen e kthimit ndaj Interit për të tentuar një përmbysje historike dhe për të qenë në finalen e madhe, ku kundërshtar mund të jetë njëri prej Manchester City ose Real Madrid.
Lajm i mirë në anën e kampit kuqezi është se Rafa Leao është rikuperuar dhe do të jetë në gjendje të luajë sot në mbrëmje. Sulmuesi portugez është padyshim lojtari më i rëndësishëm i skuadrës dhe më efektivi. Milan shpreson se Leao do të jetë në formën e tij më të mirë sot në mbrëmje për të tentuar përmbysjen e madhe ndaj zikaltërve. Gjithsesi, Milan duhet të tentojë dhe një rikuperim pikësh në Serie A, pasi momentalisht ata ndodhen në vendin e pestë me 61 pikë, pra 4 pikë larg zonës Champions që mundëson kualifikimin për sezonin e ardhshëm.
Kjo përballje pritet t’i ketë të gjitha mbrëmjen e sotme. Luftë, grindë, karakter, përplasje, emocione, adrenalinë, nerva,spektakël dhe një futboll fantastik. “San Siro”, me Interin pritës sot, do të jetë i mbushur në kapacitet të plotë dhe ndryshe nga hera e fundit, tribuna do të jetë e veshur në pjesën më të madhe zikaltër. Faktori pritës do të jetë një armë plus për Interin në këtë gjysmëfinale të dytë. San Siro sot do të jetë ai stadiumi ikonik që thyen një rekord në historinë e futbollit italian. Pothuajse 12.5 milionë euro bruto do të jenë të fituara nga shitja e biletave të Euroderbit. Një shifër e çmendur që do t’i lejojë Interit të arrijë të pakën 80 milionë euro neto në arkë për sezonin 2022-2023.
Gjithsesi, Pioli është në pritje të një konfirmimi nga stafi mjekësor se si do të jetë gjendja e Kruniç dhe Messias. Të dy lojtarëat patën probleme dhe ende nuk janë konfirmuar nëse do të jenë të gatshëm të ndihmojnë skuadrën të prekin finalen. Pioli pret dhe një përqëndrim total të mbrojtjes, pasi herën e fundit ata pësuan dy gola të shpejtë nga Interi dhe u vu re dukshëm se nuk ishin të vëmendshëm në markime.
Rreziku më i madh i Milanit nga ana e kampit kundërshtar do të jetë padyshim të mbulojë mesfushën dhe sulmin zikaltër. Interi me lojtarë si Barella dhe Calhanoglu do të tentojnë të hapin dhe të mbyllin çdo situatë në rrethin e fushës së blertë. Krahët e kuqezinjve duhen të bëjnë gjithashtu kujdes, pasi një Dimarco në formë dhe një Denzel Dumfries dinak, do të tentonin të dërgonin topa të gjatë drejt zonës ku Lautaro dhe një ndërmjet Dzekos apo Lukakut, në varësi se cili do të startojë nga këta të dy, do të ishin rrezik shumë i lartë për portën e mbrojtur nga gardiani francez, Maignan.
Gjithsesi, Milan ka treguar këtë sezon se ka një karakter fitues kur bëhet fjalë për ndeshje të rëndësishme dhe ende nuk ka përfunduar asgjë në këtë përballje. Janë 90 minuta, ndoshta edhe më shumë, ose ndoshta edhe penalltitë që mund të goditen. Edhe pse e nisin sot ndeshjen me dy gola në disavantazh, kuqezinjtë mund të bëjnë mrekullinë pasi e kanë kapacitetin dhe forcën për ta bërë.
Këtë gjë e kanë bërë të qartë të gjithë, me ish-lojtarë apo analistë të sportit, të cilët kanë komentuar se asgjë nuk ka mbaruar në Milano. Interi duhet të ketë kujdes nga një Milan i plagosur në kohët e fundit. Simone Inzaghi beson te karakteri dhe mentaliteti i skuadrës së tij, ku të gjithë lojtarët pa përjashtim e kanë treguar mjaft mirë këtë sezon se janë në gjendje të kryejnë gjëra të mëdha. Lojtarë të cilët nuk dorëzohen deri në fërshëllimën e fundit të gjyqtarit.
Inter pritet të futet sot në fushë me Onana në portë. Portieri kamerunas ka qenë i jashtëzakonshëm këtë sezon dhe sigurisht ka pasur një kontribut fantastik në rezultatet pozitive të zikaltërve, sidomos në Champions League. Mbrojtja do të jetë me shumë mundësi e rreshtuar me treshen Darmian-Acerbi-Bastoni. Darmian është një xhol i Inzaghit, pasi mbrojtësi italian luan në fazën defensive dhe ofensive fare thjeshtë. Acerbi është ai komandanti i cili drejton mbrojtjen dhe i jep siguri zonës së prapavijës me eksperiencën e tij. Bastoni, nga ana tjetër, është ai mbrojtësi elegant që e kanë zili ta kenë ekipet e tjera. Një lojtar që mbronë mjaft mirë, por edhe hap topa të gjatë në mënyrë perfekte në drejtim të shokëve të tij të skuadreës. Mesfusha pritet të konfirmohet me Dumfries dhe Dimarco në anët e saj, Barella, Calhanoglu dhe Mkhitaryan në qendër. Dumfries është ai lojtar i cili shtynë shumë përpara, por edhe mbron deri në çastin e fundit. Këmbëngulja e tij dhe shpejtësia janë dy armët e forta që ka holandezi. Dimarco është ka një rrezikshmëri të lartë. Teknika, forca, karakteri dhe topat e bukur të harkuar drejt zonës mund të jenë tepër të vështira për t’u përballuar e për t’u ndalur nga kundërshtari. Më pas, qendra e mesfushës përbëhet nga një teknikë dhe filozifi e kapacitetit të lartë, ku mbrojnë, sulmojnë dhe arkitekojnë shanse të arta për gol. Në sulm është e sigurt që do të jetë kapitani argjentinas, Lautaro Martinez. Lautaro që pas përfundimit të Botërorit në Katar, ka qenë fantastik për Interin. Golat e tij, egërsia, këmbëngulja, dinakëria janë pikat e tij më të forta në fushën e lojës. Ai e ka treguar mjaft mirë këtë sezon se është rreziku numër një i Milanit. Partneri i tij me shumë mundësi do të jetë Dzeko, i preferuar nga Inzaghi për ta startuar sfidën përpara Lukakut. Dzeko është ai sulmuesi elegant, ku edhe pse nuk ka teknikë dhe shpejtësi, ka nuhatjen e duhur për të shënuar. Ndryshe nga ai, Lukaku i sotshëm është më tepër vendimtar dhe i rrezikshëm, por ndoshta Inzaghi dëshiron ta ruajë për pjesën e dytë nëse gjërat nuk shkojnë siç duhet.
Nga ana tjetër e kampit, Milan sigurisht që do të startojë me francezin Maignan. Ai ka qenë magjistari me duart e tij si magnet për topin dhe me shkëputjen e reflekset fantastike. Pritjet e tij magjike kanë shpëtuar shumë herë Milanin nga disfatat. Mbrojtja pritet të jetë e njëjtë nga hera e fundit, por me ndryshimin e vetëm që në vend të Kjaer, të jetë Thiaë. Hernandez dhe Calabria do të jenë krahët e saj. Theo është një lojtar gjithëpërfshirës dhe i plotësuar. Forca, shpejtësia, aftësia mbrojtëse dhe sulmuese janë gjithmonë rrezik për këdo. Calabria është më shumë një mbrojtës tipik i krahut të djathtë, por që nuk sulmon shumë. Qendra me Tomorin dhe Thaië pritet t’i japë Milanit më shumë siguri dhe stabilitet falë aftësive të tyre. Përpara mbrojtjes pritet të rreshtohet Krunic dhe Tonali. Të dy lojtarëat kanë aftësi të shkëlqyera si në mbrojtje, por ashtu edhe në sulm. Tonali në sfidën e fundit ishte tepër i rrezikshëm me daljet e tij. Diaz do të jetë ai që do të qëndrojë pas sulmit. Spanjolli do të ketë rolin e regjizorit dhe teknika e tij do të jetë një rrezik i lartë për treshen e Interit. Më pas, sulmi mund të startojë me artilerinë e rëndë të Piolit. Leao dhe Saelemaekers do të jenë në krahët e ofensivës për të “hallakatur” mbrojtjen e Interit. Të dy lojtarët janë shumë të shpejtë dhe tepër teknikë. Leao është ai që do të ketë i gjithë populli kuqezi vëmendjen. Në krye më pas, do të startojë Olivier Giroud. Sulmuesi klinik francez i cili është tepër i rrezikshëm për kundërshtaët dhe i kudondodhur në kuadratin e mbrojtur nga Onana./ h.ll/abcnews.al