Thursday, 30. April 2026
Sport

Euroliga në RTSH: Fitore e vështirë për Realin

GS 30/04/2026 2 Min. Lesezeit

Real Madridi e ka nisur me fitore rrugëtimin e play off-it duke mundur Hapoelin e Tel Avivit në ndeshjen e parë 86-82. Gjithçka nisi me një avantazh të shpejtë të spanjollëve falë koshave të Campacos, sidomos në vlerën e tri pikëve. Avantazhi në periodën e parë arriti deri në 14 pikë dhe nisi të ndjehej tensioni nga trajneri i Hapoel Tel Aviv që mori faullin e parë teknik.

Në periodën e dytë avantazhi i Realit të Madridit arriti në 20 pikë kur shifrat shënonin 46-26. Në perfundim të pjesës së parë, Dimitri Itoudis trajneri i Hapoelit deklaroi se me këtë rezultat nuk mund të kthehen më në lojë. Në fakt perioda e tretë u mbyll si 10 minutësh e barabartë 22-22 dhe në periodën e katërt në një moment të caktuar Hapoeli shënoi 6 pikë në një aksion për shkak të një faulli antisportiv dhe një faulli teknik si dhe një trepikëshi nga Blakney.

Në momentin më të mirë të Hapoelit, Itoudis protestoi sërish ashpër dhe mori faullin e dytë teknik duke lënë ndeshjen. Mirëpo skuadra vijoi me një vrull shumë të mirë, aq sa e uli diferencën deri në 4 pikë.

Në dy aksionet e fundit Hapoel Tel Aviv pati 2 mundësi për tri pikë, por nuk i shënoi. 11 sekonda në kronometër dhe topi sërish për Hapoelin, por Reali mbrojti mjaft mirë duke mos i lejuar asnjë mundësi për të gjuajtur kundërshtarëve.

Si rrjedhojë mbyllet takimi i parë me fitoren jo të lehtë të madrilenëve, të cilët e presin Hapoelin sërish të premten në fushën e tyre.

Teilen: