Sunday, 29. March 2026
Sport

Euroliga në RTSH: Reali, fitore e thellë ndaj Monacos

GS 23/01/2026 2 Min. Lesezeit

Real Madridi është në superformë dhe këtë e vërtetoi në fitoren me Monacon me rezultatin 90-78 me një kundërshtar direkt për titull. Pas fitores me Barcelonën javën e kaluar më pas me Valencian në kampionatin spanjoll dhe me Milanon po në Euroligë, vjen dhe kjo fitore me një dominim total ndaj francezëve.

Ndeshja nisi me një shkëputje menjëherë për madrilenët 23-9, më pas në periodën e dytë diferenca arriti në 15 pikë dhe në fund të saj deri në 23 pikë teksa përfundoi 54-31. Në pushim trajneri i Monacos, Vasilis Spanulis do deklaronte se skuadrës së tij i mungonte në radhë të pare kurajo dhe krenaria për ta luajtur këtë ndeshje.

Në fillim të periodës së tretë Reali arriti deri në 26 pikë avantazh dhe menduan se gjithçka përfundoi. Por falë disa koshave të Mirotic dhe Mike James, Monaco e uli deri në 13 pikë dhe perioda e katërt riktheu rivalitetin.

Në 10 minutat e fundit, francezët u përpoqën sidomos me gjuajtjet nga jashtë zone dhe arritën ta ulnin deri në 9 pikë. Por në momentin më vendimtar kur duhej bërë kthesa, nisi nervozizmi për Monacon dhe u ndëshkuan me faull teknik 3 lojtarë ku madje Daniel Theis me teknik përjashtimi.

Kjo i nxorri totalisht nga ritmi dhe Monaco në fund u dorëzua. Me këtë fitore, Reali u ngjit në vend të 3-të por me një fitore më tepër se Fenerbahçe e vendit të dytë dhe me të njëjtin numër fitoresh sa Hapoel Tel Aviv i vendit të parë, ndërsa Monaco zbret në vend të 6-të.

Teilen: