Thursday, 20. August 2026
Sport

Europa League në RTSH/ Mungon goli në Rrogozhinë, Egnatia dhe Lillestrom ndahen në paqe

GS 20/08/2026 2 Min. Lesezeit

Është mbyllur në barazim pa gola 0-0 sfida Egnatia-Lillestrom, e vlefshme për Play Off-in e Europa League, ndeshje e transmetuar drejtpërdrejt në rrjetin e Radio Televizionit Shqiptar. Në një stadium të mbushur plot, traversa i mohon golin Grudës në pjesën e dytë. Kualifikimi mbetet i hapur dhe gjithçka do të vendoset pas një jave në ndeshjen e kthimit në Norvegji.

Norvegjezët nisin shumë mirë ndeshjen dhe gjejnë rrugën e rrjetës me Gabrielsen, por pas verifikimit në VAR, goli anulohet për pozicion jashtë loje. Miqtë luajnë më mirë në minutat e para, duke vënë në vështirësi kampionët e Shqipërisë.

Me kalimin e minutave, Egnatia fillon të fitojë terren dhe të shfaqet rrezikshëm në zonën kundërshtare. Adjesa dhe Albanese tentojnë golin, por pa arritur që të gjejnë rrugën e rrjetës. Pjesa e parë mbyllet në barazim 0-0.

Në pjesën e dytë Egnatia luan më mirë, madje i afrohet golit me Grudën, por sulmuesi është i pafat, sepse goditja e tij ndalet në traversë. Edhe Lillestrom ka një mundësi të mirë për të shënuar, por Va nuk arrin që të përfitojë nga gabimi i Dajsinanit.

Pavarësisht përpjekjeve nga të dy kampet, sfida nuk arrin të zhbllokohet. Mbyllet me rezultatin 0-0, pa gola dhe pa fitues sfida në Rrogozhinë dhe kualifikimi do të vendoset pas një jave në ndeshjen e kthimit në Norvegji.

Teilen: