Nottingham Forest ka arritur një fitore 1-0 në aktin e parë gjysmëfinal të Europa League përballë Aston Villas në një ndeshje që erdhi për shikuesit në ekranin e RTSH.
Në Nottingham u zhvillua një pjesë e parë e kujdesshme, me të dyja skuadrat që nuk provuan shumë në drejtim të portave respektive, duke u mjaftuar me duele të shumta në mesfushë. Në ato pak raste të krijuara, fillimisht ishte Aston Villa që provoi me anë të Tielemans pas 9 minutash lojë, por u përball me reagimin e portierit Stefan Ortega.
Ndërkohë, vendasit kishin një mundësi mjaft të mirë pas gjysmë ore lojë me Igor Jesus, por Emiliano Martinez u tregua në nivelin e duhur.
Pjesa e dytë nisi me një mundësi të vendasve, me Hutchinson që nuk mundi të mposhtë portierin e kundërshtarëve. Nga ana tjetër, Watkins u përball me një Ortega pozicional.
Një gabim i Digne dhe ndërhyrja e VAR i dha mundësinë Nottingham të zhbllokojë sfidën me 11-metërshin e kthyer në gol nga Wood në minutën e 71-të.
Në minutat në vazhdim, Aston Villa bëri shumë pak për të ndryshuar fatin e kësaj sfide përballë vendasve mjaft të kujdesshëm në lojën e tyre mbrojtëse.
Ndërkohë, në sfidën tjetër gjysmëfinale të këtij kompeticioni, Braga ka mposhtur Freiburgun me rezultatin 2-1.
Ndeshjet e kthimit gjysmëfnale do të luhen pas një jave.