UEFA Europa League, që transmetohet në RTSH, sapo ka mësuar çiftet e fazës së 1/8-ave, pas hedhjes së shortit në Nyon. Goglat kanë vendosur dy skuadra italiane përballë, Romën dhe Bolonjën.
Nga çiftet e tjera Porto ndeshet me Shtutgartin, kurse Real Betis me Panathinaikosin. Lila përballet me Aston Vilën.
Në short merrnin pjesë 16 skuadra, 8 prej tyre të dala nga Play-off-i dhe 8 të tjera që u renditën në 8 vendet e para të fazës kampionat. Këto të fundit ishin koka serie në short dhe konkretisht bëhet fjalë për Lyon (FRA), Aston Villa (ENG), Midtjylland (DEN), Real Betis (ESP), Porto (POR), Braga (POR), Freiburg (GER) dhe Roma (ITA).

Tetë skuadrat e tjera jo koka serie, që dolën nga Play-off-i, ishin Genk (BEL), Bologna (ITA), Stuttgart (GER), Ferencváros (HUN), Nottingham Forest (ENG), Celta (ESP), Lille (FRA) dhe Panathinaikos (GRE).
Si funksionon shorti
Në short skuadrat u çiftëzuan në bazë të pozicionit të tyre në fund të fazës kampionat, duke formuar 4 çifte koka serie (skuadrat në pozicionet 1 e 2, 3 e 4, 5 e 6, 7 e 8). Skuadrat e çdo çifti kokë serie u shortuan në një nga dy pozicionet e 1/8-ave kundër fitueseve të Play-off-it me eliminim direkt.

Në short ishin bërë gati 4 vazo me goglat me emrat e çdo çifti skuadrash kokë serie, që lidhen me vazot korresponduese në bazë të klasifikimit të fazës kampionat. Shorti tregon anën e tabelës për të gjitha skuadrat koka serie, duke nisur nga vendet 7/8 për të përfunduar te vendet 1/2.
Një gogël tërhiqet nga vazoja ku janë dy skuadrat (vendet 7 e 8) dhe hapet për të treguar skuadrën. Skuadra e parë që tërhqiet nga kjo vazo vendoset në vendin e rezervuar në anën e argjendtë të tabelës. Skuadra tjetër kokë serie e çiftit tërhiqet për t’u vendosur në anën jeshile të tabelës. E njëjta procedurë edhe për skuadrat e tjera kokë serie.
Kalendari i Europa League deri në finale
Faza e 1/8-ve: 12 dhe 19 mars 2026
Çerekfinalet: 9 dhe 16 prill 2026
Gjysmëfinalet: 30 prill dhe 7 maj 2026
Finalja: 20 maj 2026 (Stamboll)