Shqipëria U-17 luan nesër ndeshjen e dytë të grupit 3 të raundit të parë të kualifikueseve të Kampionatit Europian U-17 ndaj Holandës. Në stadiumin “Air Albania” në orën 15:00, kuqezinjtë do të përballen me rivalët më të fortë të grupit.
Sipas Federatës Shqiptare të Futbollit ndeshja, e cila do të transmetohet direkt edhe në RTSH Sport, do të jetë falas për sportdashësit, të cilët do të vendosin ta ndjekin nga shkallët e stadiumit.
Sa i përket përgatitjeve Kombëtarja U-17 ka vijuar ato ditën e sotme në qytetin e Durrësit, të gjithë futbollistët gëzojnë formë të mirë fizike dhe do të jenë në dispozicion të trajnerit Andrea Tedesko për sfidën ndaj Holandës.
Po nesër, në orën 11:00 do të luhet ndeshja tjetër e grupit 3, mes Kroacisë dhe Ishujve Faroe. Dy skuadrat do të përballen me njëra-tjetrën në “Shtëpinë e Futbollit”.