Sunday, 8. November 2026
Sport

Evazion fiskal mbi 1 milion euro, Prokuroria e Fierit dërgon në gjyq shoqërinë ‘S’ sh.p.k. dhe administratorin S.L.

GS 08/11/2026 2 Min. Lesezeit

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim shoqërinë “S” sh.p.k. si dhe administratorin e saj, shtetasin S.L. Subjekti dhe drejtuesi i saj akuzohen për kryerjen e veprës penale “Fshehja e të ardhurave”, të parashikuar nga neni 180, paragrafi 3, i Kodit Penal.

Nga hetimet e kryera në kuadër të procedimit penal nr. 1150 të vitit 2021 – ku janë përfshirë kontrolle tatimore, verifikime të të dhënave bankare, deklarime nga klientët e shoqërisë si dhe një akt ekspertimi kontabël – ka rezultat se gjatë periudhës 2017–2018 kompania ka kryer evazion fiskal me pasojë dëm të konsiderueshëm ndaj financave publike.

Në veçanti, subjekti nën drejtimin e administratorit S.L. “nuk ka deklaruar të ardhura në vlerën 133.415.631 lekë për vitin 2017 dhe nuk ka dorëzuar librat e shitjes dhe të blerjes”.

Sipas ekspertizës kontabël, detyrimi tatimor i shmangur drejtpërdrejt arrin në 48.834.581 lekë, nga të cilat “46.695.471 lekë (TVSH dhe Tatim mbi Fitimin) për vitin 2017 dhe 2.139.110 lekë TVSH për vitin 2018”. Ndërkohë, sipas llogaritjeve të Drejtorisë Rajonale Tatimore Fier, detyrimi total i shoqërisë ndaj shtetit, duke përfshirë gjobat dhe kamatëvonesat e akumuluara, arrin në “112.604.938 lekë” (ose mbi 1 milion euro).

Në përmbyllje të njoftimit zyrtar, Prokuroria e Fierit ritakson se “mbetet e angazhuar në hetimin dhe ndjekjen penale të veprave penale në fushën tatimore, të cilat dëmtojnë buxhetin e shtetit dhe konkurrencën e ndershme ndërmjet tatimpaguesve”.

/rtsh.al/

 

Teilen: