Superliga e Kosovës në futboll, rikthehet këtë vikend me ndeshet e javës së 36-të.
Kjo xhiro e cila është e parafundit e këtij sezoni, pritet të jetë interesante pasi që në çdo sfidë pikët janë tejet të rëndësishme në garën për titullin e kampionit, daljen në Evropë dhe mbijetesën në Superligë.
Lideri i tabelës, Ballkani mund të shpallet kampion i Kosovës këtë vikend me fitoren kundër Ferizajt, dhe në rast se Drita ndalet nga Malisheva. Skuadra nga Suhareka aktualisht kryeson tabelën me 69 pikë, dy më shumë së Drita.
Duel interesante pritet të sjellë edhe përballja mes Llapit dhe Gjilanit, këta të fundit janë në garë për të siguruar një vend që dërgon në Evropë.
Evropën e kërkon edhe Dukagjini që do të kërkojë pikët e plota në ballafaqim me Trepçën ’89, derisa këta të fundit janë në garën për të siguruar ekzistencën në elitën e futbollit tonë.