Me ndeshjet Sllovenia – Hungaria dhe Ukraina – Bullgaria fillon Kampionati Evropian për volejbollistet deri në 16 vjet.
Ndeshja Slloveni – Hungari zhvillohet të mërkurën nga ora 12:30 në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë. Në termin të njëjtë zhvillohet ndeshja Ukrainë – Bullgari, në palestrën “Feti Borova” në Tiranë.
Tirana e Prishtina, përkatësisht Federata Shqiptare e Volejbollit dhe Federata e Volejbollit e Kosovës janë nikoqire të Evropianit U16 për volejbolliste. Është ngjarja e nivelit më të lartë e organizuar deri më tani në Kosovë, në sportet ekipore. Është po ashtu prej ngjarjeve sportive më të rëndësishme që janë organizuar në Kosovë, ndonëse bëhet fjalë për grupmoshën U16.
Në Evropian paraqiten 16 ekipe përfaqësuese. Kosova e Shqipëria marrin pjesë si vende nikoqire. Për nga cilësia, Kosova është larg nivelit që do t’i siguronte kualifikimin në Evropian. Rrjedhimisht secila fitore eventuale, por edhe secili set i fituar, mund të llogaritet sukses.
Në Prishtinë luajnë Kosova, Kroacia, Çekia, Greqia, Hungaria, Mali i Zi, Sllovenia dhe Turqia. Në Tiranë pos Shqipërisë garojnë edhe Bullgaria, Franca, Italia, Lituania, Polonia, Spanja e Ukraina.
Ndeshjet tjera të ditës së parë në Prishtinë janë Greqia – Turqia (15:00), Çekia – Kroacia (17:30) dhe Kosova – Mali i Zi (20:00).
Pas shtatë xhirove në fazën grupore, që zhvillohen deri më 10 korrik, janë gjysmëfinalet. Gjysmëfinalet zhvillohen më 12 korrik në Tiranë. Po në Tiranë, më 13 korrik, është ndeshja për vend të tretë dhe finalja e Evropianit.
Në Kosovë organizohen thuajse rregullisht kampionate evropiane edhe në sportet e tjera ekipore. Por të Divizionit B dhe C.