Trajneri i Tiranës, Erbim Fagu, e ka cilësuar fitoren e sotme të bardhebluve si të merituar, edhe pse skuadra e tij vuajti ndaj Dinamos në suksesin 3-2.
“Në radhë të parë dua të komplimentoj lojtarët për ndeshjen e sotme.
Sigurisht pjesa e parë e dominuar, 2-0, por futbolli është i tillë që sipas mendimit tim rezultati 2-0 është më i rrezikshmi se të pësosh gol, skuadra futet në tension, siç ndodhi.
Dy gabime dhe na barazuan. Reaguam shpejt me golin e tretë dhe mendoj se ishte fitore e merituar.
Nuk ishte ndonjë udhëzim që të tërhiqeshim për shkak të rezultatit por ashtu vjen loja vetë dhe mbase dukej sikur u tërhoqëm.
Ne ishim duke bërë zëvendësimin me Najdovskin, por edhe duke parë minutazhin se nuk deshëm të rrezikonim se ka kohë pa u aktivizuar. Ne u goditëm shumë shpejt me dy gola, ishte një moment dileme, por doja të ndërhyja më shpejt se pësimi i golave.
Patrik ishte zgjedhje taktike se ndryshuam rreshtimin dhe prandaj erdhi me vonesë aktivizimi i tij.
Unë e kisha studiuar Dinamon dhe dukë parë Kaçorrin që luan me shpinë nga porta. Mici është lojtar me eksperiencë dhe mendoj se ishte zgjidhja me e mirë e mundshme se mungesa e Hoxhallarit ishte e rëndësishme. Ishte zgjidhje që rezultoi e suksesshme.
Golat e pësuar? Unë mendoj se është pak çështje psikologjike sepse bëjmë gabime individuale, nuk është se biem taktikisht në repartin e mbrojtjes. Mendoj se duhet të jemi më të qetë në momente konfuzion që të zgjidhim situatat pak më thjeshtë.
Pauza do shërbejë se lojtarët kanë qenë të ngarkuar në ndeshje, na jep mundësinë të punojmë më shumë në defektet që kemi shfaqur në ndeshjet e fundit. Ndaj na bën shumë mirë dhe na vjen në momentin e duhur
Objektivi ynë është ndeshja e radhës me Teutën, që është shumë e rëndësishme dhe Skënderbeu që është para nesh e duhet ta kalojmë. Akoma nuk mund të mendojmë për “Final Four””, tha Fagu për “MCN” pas ndeshjes.