Në Gjermani po ftohet pista Marmoush drejt Manchester City-t. Trajneri i Eintracht Frankfurtit, Dino Toppmöller, deklaroi gjatë një konference për shtypin të enjten se nuk ka pasur asnjë kontakt mes dy klubeve dhe se ka ndërmend ta aktivizojë Omar Marmoush kundër St. Pauli-t, të shtunën.
“Omar është një lojtar shumë i rëndësishëm për ne,” tha Toppmöller, duke shtuar: “Nuk ka asnjë kontakt mes klubeve dhe, për sa kohë që nuk ka, nuk është e nevojshme të flitet shumë për këtë. Ai ka lënë një përshtypje të mirë në stërvitje dhe do të luajë titullar të shtunën,” përfundoi trajneri gjatë konferencës.
Marmoush, sulmues egjiptian, është golashënuesi më i mirë i skuadrës me 18 gola në 24 ndeshje këtë sezon. Manchester City thuhet se është i gatshëm të ofrojë 60 milionë euro për lojtarin, pavarësisht se Eintrachti kërkon 80 milionë. Sulmuesi ka mbërritur në Frankfurt si lojtar i lirë në vitin 2023, duke u konfirmuar si një nga ‘yjet’ më të spikatur të sezonit.
Vetëm dje, drejtori i përgjithshëm i Eintracht-it, Markus Krosche, hodhi poshtë zërat për një transferim të mundshëm:
“Nuk ka pasur asnjë kontakt, asnjë telefonatë. Asgjë fare.”
Megjithatë, është e qartë se një fuqi ekonomike si Manchester City nuk mund të injorohet.