Probleme për Italinë dhe trajnerin e saj, Luçiano Spaleti. Një situatë e pakëndshme në kampin italian vetëm pak ditë para ndeshjes debutuese me Shqipërinë në Europian, që zhvillohet të shtunën, më 15 qershor, në Dortmund. Italianët zbritën dje në fushën e stërvitjes me entuziazmin e krijuar nga 5000 tifozëve, gati të gjithë italianë rezidentë në Gjermani, por trajneri Spaleti nuk ka marrë lajme të mira.
MESFUSHA – Shqetësimi kryesor për kampionët në fuqi të Europës ka të bëjë me mesfushën, ku ankthi nuk lidhet vetëm me Nikolo Barelën. Lojtari që konsiderohet si një nga shtyllat kryesore të Italisë, nuk luajti në miqësoren me Bosnjën për shkak të një dëmtimi muskulor. Ai ka vazhduar me stërvitje të diferencuar dhe ka optimizëm se mund të jetë në fushë ndaj Shqipërisë, por asgjë nuk është e sigurt. Lojtari i Interit ka bërë vrapime dhe ushtrime me topin, ndërsa shqetësimi tjetër i Spaletit ka të bëjë me Faxholin. Ai është stërvitur në palestër, për shkak të një problemi fizik që pati pas ndeshjes miqësore me Bosnjën, ku u duk se fitoi besimin e trajnerit për ta aktivizuar titullar të shtunën në Dortmund. Edhe më alarmante bëhet situata për mesfushën për shkak të gjendjes së Davide Fratezit, i cili shënoi golin e fitores në testin e fundit para nisjes për në Gjermani. Fratezi, pas asaj paraqitjeje, u mendua se ka zënë një vend në formacionin e Italisë, por tashmë gjithçka është pezull. Mesfushori bëri dje vetëm pjesën atletike të stërvitjes, pastaj u ndal dhe u spostua në palestër. Ai nuk mori pjesë në ndeshjen e kontrollit që zhvilloi trajneri Spaleti, duke ngritur pak dyshime, por jo ankth, sepse gjithçka u zhvillua sipas programit.
RASPADORI – Probleme ka edhe për sulmin, pasi dje pati momente shqetësimi sa i takon gjendjes së Xhakomo Raspadori, i cili ka marrë një goditje në këmbën e djathtë. Në këtë rast nuk flitet për dëmtim serioz, por çdo problem fizik, qoftë edhe i vogël, shton stresin para sfidës së debutimit me Shqipërinë, ku Italia është e detyruar të fitojë për të mos e komplikuar situatën.
PANORAMASPORT.AL