Simone Inzagi nuk ka dalë në konferencë për shtyp para Monza-Inter, por ka bërë analizën e tij për mikrofonat e klubit. Sfida që do të zhvillohet sot në 20:45 do t’i japë jetë fazës së dytë të kampionatit për zikaltrit, të cilët shpresojnë të bëjnë aq mirë sa në atë të parën dhe të marrin tri pikët për t’ia lënë presionin Juventusit, që do të zbresë në fushë të martën kundër Sasuolos, të vetmit ekip që u ka shkaktuar humbje në fazën e parë të dyja skuadrave kryesuese.
E mbyllët fazën e parë me 48 pikë. A është qëllimi të përsërisni të njëjtin rezultat edhe në fazën e dytë?
Është e qartë, se ne e dimë se kemi pasur një ecuri të shkëlqyer, skuadra është ambicioze dhe gjithashtu, e dimë se nuk do të jetë e lehtë, por ne duam të konfirmojmë veten me një fazë kthimi po aq të mirë.
Çfarë ndeshje prisni ndaj Monzës?
Do të jetë një ndeshje e vështirë ndaj një kundërshtari të denjë, që ka një trajner të shkëlqyer dhe lojtarë që kanë qenë të rëndësishëm këtu tek Interi dhe që do t’i shohim sërish me kënaqësi: e kam fjalën për D’Ambrozion, Galjiardinin dhe Valentin Karbonin. Do të duhet të luajmë një ndeshje shumë të rëndësishme sepse ne e dimë që Monza është absolutisht një kundërshtar cilësor.
Kundër Veronës në fund ndryshuat strukturën taktike të ekipit. Mendoni se është një zgjidhje për t’u aplikuar edhe në të ardhmen?
Me Veronën ndryshova në 15 minutat e fundit, me tre sulmues në fushë në të njëjtën kohë. E përdora si opsion në atë moment, por një ditë mund të jetë edhe një zgjidhje.
Në 19 ndeshje keni kaluar 18 herë në avantazh dhe keni shënuar 12 gola në çerekun e fundit të lojës. Çfarë tregon kjo për qëndrimin?
Do të thotë se skuadra ka punuar mirë në këto 19 ndeshje dhe se gjithmonë ka ndikuar në ndeshjet në mënyrën më të mirë të mundshme, duke besuar deri në fund. Të dhënat dhe qasjet e mira e dëshmojnë këtë, ashtu si edhe fundi i ndeshjeve. Duke folur për shifra, ka një tjetër rekord: 9 gola, pësuar në 19 ndeshje.
Duke marrë parasysh që Interit i është dashur shpesh të ndryshojë në mbrojtje, do të thotë ky numër se soliditeti është një çështje grupi?
Absolutisht po, skuadra punon mirë dhe punon si grup, të gjithë së bashku. Mbi të gjitha kemi ndryshuar disa herë mbrojtësit sepse kemi pasur disa lëndime, por parimet nuk kanë ndryshuar, përtej individëve jemi mbrojtur mirë në këtë fazë të parë.
A do të jenë të disponueshëm edhe Dimarko edhe Bjukenën?
Po, Federiko është shumë më mirë. Ai është rikuperuar dhe ka dhënë kontributin e tij tashmë në fund kundër Veronës. “TJ” mbërriti në mënyrën më të mirë të mundshme, ai është një lojtar i ri me cilësi të shkëlqyera, por tashmë ka një përvojë të mjaftueshme pas tij. Do t’i duhet pak kohë që të integrohet, por këtë javë ai ka pasur tri seanca stërvitore shumë të rëndësishme.
Përgatiti: NISLI GJINI – PANORAMASPORT.AL