Dy ditë pasi e konfirmuan skuadrat finaliste të Kupës së Kosovës në basketboll te meshkujt, Federata e Basketbollit të Kosovës, ka përcaktuar vendin se ku do të luhet kjo ndeshje.
Palestra “Mizahir Isma” në Rahovec, do të jetë arena ku do të përballen Trepça dhe Bashkimi në finalen e këtij sezonit në kuadër të Kupës.
Ndeshja finale do të zhvillohet javën e ardhshme, saktësisht më datën 18 shkurt dhe pritet një përballje e fortë pasi dy skuadrat synojnë këtë trofe.
Trepça dhe Bashkimi, u patën përballur edhe në finalen e sezonit të shkuar, të cilën e fitoi ekipi nga Mitrovica me shifrat 85:79.
Përderisa Trepça paraqitet për herën e pestë rresht në finalen e kësaj gare dhe synon ta mbrojë trofeun e fituar sezonin e shkuar, Bashkimi luan për herën e dytë radhazi në ndeshjen finale dhe kërkon trofeun e dytë të Kupës në histori të klubit.