FC Malisheva i ka paraqitur një ofertë zyrtare trajnerit spanjoll Josep “Pep” Guardiola
.
Oferta, e nënshkruar nga zëvendëspresidenti i klubit, Afrim Bytyqi, parasheh një pagë vjetore prej 650 mijë euro bruto, ndërsa kontrata përfshin edhe bonuse të konsiderueshme në rast të arritjes së objektivave sportive, shkruan Indeksonline.

Sipas ofertës së FC Malisheva, Guardiola do të përfitonte:
100 mijë euro bruto nëse shpallet kampion i Kosovës;
300 mijë euro bruto për kualifikimin në fazën e ligës së UEFA Champions League;
200 mijë euro bruto për kualifikimin në fazën e ligës së UEFA Europa League;
100 mijë euro bruto për kualifikimin në fazën e ligës së UEFA Conference League.
Kështu, në rast të fitimit të titullit kampion dhe kualifikimit në fazën e ligës së UEFA Champions League, vlera vjetore e kontratës do të arrinte në 1.05 milionë euro bruto.
Në rast të titullit kampion dhe kualifikimit në Europa League, Guardiola do të përfitonte deri në 950 mijë euro bruto, ndërsa kombinimi i titullit kampion me Conference League do ta çonte shumën në 850 mijë euro bruto.
Në ofertë sqarohet se bonuset për Champions League, Europa League dhe Conference League nuk kumulohen mes tyre, ndërsa bonuset evropiane paguhen në bazë të kompeticionit në të cilin klubi arrin fazën e ligës.
“Kushtet e tjera të kontratës dhe mënyra e pagesës do të përcaktohen me marrëveshje ndërmjet palëve”, thuhet në ofertën e klubit.
Guardiola aktualisht është pa angazhim, pas përfundimit të periudhës së tij te Manchester City, ku ndërtoi një nga epokat më të suksesshme në historinë e klubit anglez.