Monday, 4. May 2026
Futboll

Federata e Ragbit e Kosovës reagon pas humbjes 101–0 ndaj Malit të Zi

GS 04/05/2026 2 Min. Lesezeit

Federata e Ragbit e Kosovës ka reaguar zyrtarisht pas humbjes së thellë 101–0 ndaj Malit të Zi, një rezultat që ka qarkulluar gjerësisht në media dhe rrjete sociale.

Në deklaratën e saj, Federata thekson se ragbi në Kosovë është ende në fazë zhvillimi dhe se rezultate të tilla janë pjesë e natyrshme e këtij procesi, sidomos për vendet që sapo kanë nisur rrugëtimin në këtë sport.

Federata përgëzoi kundërshtarin për paraqitjen dhe fitoren e merituar, por theksoi se rezultati nuk pasqyron ambiciet afatgjata të ekipit kosovar.

Sipas reagimit, Kosova ka më pak se 10 ndeshje ndërkombëtare në formatin XV dhe ekipi në këtë përballje përbëhej nga shumë lojtarë të rinj, disa prej të cilëve në hapat e parë në këtë sport, si dhe me mungesa për shkak të lëndimeve.

Në deklaratë u përmend gjithashtu se rezultate me diferenca të mëdha ndodhin edhe në nivele të larta të ragbit ndërkombëtar, duke sjellë si shembull humbjen 103–0 të Skocisë ndaj Francës në ragbin e femrave.

Federata kujtoi edhe organizimin e suksesshëm të eventeve ndërkombëtare në formatin 7’s, duke theksuar se Kosova ka qenë nikoqire e turneut të Rugby Europe Conference 2 dhe do të vazhdojë të presë gara të ngjashme.

Në përfundim, Federata nënvizoi se fokusi mbetet zhvillimi i sportit, përfshirja e të rinjve dhe ndërtimi i një strukture të qëndrueshme, ndërsa vendimet për të ardhmen e ndeshjeve në formatin XV do të merren nga bordi drejtues.

Teilen: