Botërori i Formulës 1 ka nisur shumë larg pritshmërive për Ferrarin, teksa një sukses i vetëm nga Luis Hamilton në garën Sprint në Kinës është shumë pak për skuadrën nga Maranelo.
Ky rezultat u pasua nga zhgënjimi në Çmimin e Madh të një dite më vonë si dhe skualifikimi i dyfishtë i makinave SF25. Tashmë në Maranelo reagimi bëhet detyrim që këtë fundjavë në Çmimin e Madh të Japonisë. Por Suzuka nuk është pista më e favorshme për Ferrarin, përkundrazi bëhet fjalë për një cirkuit ku për të gjetur fitoren e fundit të skuderisë italiane duhet të kthehemi në vitin 2004.
Pra kanë kaluar më shumë se 20 vite që Ferrari nuk triumfon në Japoni, ndërsa në sezonin e kaluar regjistroi një vend të tretë me Karlos Sainz, rezultat që e ka arritur edhe Lëklerk në vitin 2022. Që prej suksesit të Mikael Shumakerit në 2004-ën, Ferrari nuk ka arritur të ngjitet më asnjëherë në shkallën më të lartë të podiumit në Japoni. Në atë kohë, Shumi dhe “kokëkuqja” ishin dominuesit absolutë të Formulës 1.
I nisur nga “pole position” piloti legjendar gjerman vendosi ritmin menjëherë, duke dominuar në garë, ku rivali i vetëm në Suzuka atë ditë ishte vëllai i tij, Ralf Shumaker me makinën Uilliams, i renditur i dyti.
Tashmë në Maranelo reagimi nuk është më fakultativ nëse synohet një sezon konkurrues. Ferrarit nuk i lejohen hapa të tjerë fals, duke parë makinat MekLaren që po shkëputen. Të gjithë në skuderinë italiane shpresojnë që Luis Hamilton dhe Sharl Lëklerk të thyejnë “mallkimin” e Suzukës.
AXHENDA – Fundjava japoneze do të hapet në orët e para të mëngjesit të së premtes, në 04:30, me sesionin e parë të provave të lira. Më pas në orën 08:00 do të zhvillohet sesioni i dytë i lirë. Mëngjesi i së shtunës (04:30) do t’i shikojë pilotët në pistë për sesionin e tretë, ndërsa në orën 08:00 do të nisin kualifikueset. Çmimi i Madh i Japonisë do të startojë të dielën në orën 07:00.