Të dielën në mbrëmje, duke udhëtuar në rrugën legjendare “Filadelfia”, televizorët e ndezur ndriçonin brendësinë e autobusit me atë mbishkrimin gjigand anash, “Inter”. Po transmetonin nga stadiumi “Maradona”, kur ishte fundi i pjesës së parë.
Lajmi më i mirë për grupin që po kthehej në Milano do të vinte në fund. Udhëtimi zikaltër në autostradën A4, i shoqëruar me sytë ngulur te Napoli-Xhenoa, përmbylli një javë të çuditshme për zemra të forta dhe dashamirës të epopesë. Edhe kjo sfidë u kthye në lëkundjen e zakonshme të emocioneve, sepse tashmë sezoni po shkon kështu: qoftë në Itali apo në Europë, Interi kalon për një çast nga vuajtja në ekstazë, nga depresioni në entuziazëm.
Pamja e ndeshjes së rivalëve shoqëroi grupin e Inzagit gjatë kthimit nga Torino deri në momentin vendimtar, goditjen me kokë të Vaskezit, që rrezikon të ndryshojë krejtësisht llogaritë e kampionatit në dy javët e fundit. Në atë çast, kishin mbetur rreth njëzet kilometra për të mbërritur në “Appiano”, vendi i nisjes me shpresë të shtunën pasdite dhe i mbërritjes së ëmbël të dielën. Kur zikaltrit zbritën nga autobusi pak para orës 23:00, e dinin se ishin në renditje vetëm një frymë larg Napolit. Edhe në kampionat, ndjekja e pamundur për ta, papritmas ishte bërë reale: prandaj humori i mirë i skuadrës ishte rritur akoma më shumë, megjithëse tashmë ishte në nivele marramendëse pas betejës së fituar me Barcelonën.
PAK FESTË- Të dielën, zikaltrit filluan të kuptonin se një erë e çuditshme po frynte mbi Napolin, kur panë në monitorin e autobusit devijimin fatkeq të Meret për rezultatin 1-1. Avantazhi i rikthyer i Napolit me golin e Raspadorit nuk ua hoqi besimin, as stafit që, si gjithmonë, ishte ulur në rreshtat e parë, as lojtarëve në fund të autobusit, si në çdo ekskursion të vërtetë. Të gjithë vunë re një Xhenoa më të guximshme nga sa pritej dhe e dinin që mund të ndodhte një surprizë — dhe ashtu ndodhi. Barazimi 2-2 nuk mund të mos shoqërohej me një festë të vogël, të përmbajtur, sepse i gjithë Interi e di që fati është ende në duart e ish-trajnerit të tyre, Konte. Megjithatë, tani presioni po rritet në shtëpinë e kryesuesve të kampionatit, të cilët kanë mbetur vetëm me një pikë avantazh: më shumë se të mendojnë për pikët e humbura gjatë rrugës, nga e mërkura në “Appiano” do të punojnë mbi këtë aspekt psikologjik.
NAPOLI NË ANKTH
Para se të hipnin në autobus, në sallën e konferencës për shtyp të stadiumit të Torinos, Inzagi komentoi me kënaqësi fitoren 0-2 të arritur mes një stuhie të tmerrshme. Ndërsa Simone fliste për Serinë A dhe Champions League, për Torinon dhe PSG-në, Lobotka doli i dëmtuar nga fusha në Maradona. Ishin sinjalet e para nga larg, dhe trajneri zikaltër u njoftua menjëherë sapo doli nga salla – për dëmtimin e organizatorit të lojës së Kontes dhe për golin e Lukakut që erdhi më vonë. Nga ana e tij, në Torino Inzagi kishte hequr me një vijë në bllokun e tij listën e gjërave për të bërë: të pushonte titullarët që kishin luftuar kundër Barcelonës, të mbante të përgatitur ekipin e dytë të Interit dhe, mbi të gjitha, të shmangte çdo rrezik për muskujt, gjë aspak e lehtë në atë terren të baltosur. Por nuk e priste një rresht tjetër në fund: të afrohej në -1 nga Napoli dhe të rikthente shpresën për titullin kampion. Sidoqoftë, mori edhe një konfirmim tjetër se kjo skuadër e dytë mund ta shoqërojë me lehtësi deri në fund, çfarëdo që të ndodhë me Napolin: “Titulli nuk është në duart tona, por duhet të luajmë ndeshje të forta dhe serioze si kjo dhe të stërvitemi me qetësi dhe gëzim drejt finales së Championsit, sepse ankthi nuk të çon askund”, kishte theksuar trajneri. Madje, që nga tani, ndoshta ankthi do të banojë diku tjetër.
GENTJAN ALINANI-PANORAMASPORT.AL