Luboteni ka triumfuar në Kupën e Kosovës në volejboll, duke e rikthyer trofeun në Ferizaj pas një paraqitjeje të fuqishme në finalen ndaj Dritës.
Ndeshja finale u zhvillua në Pallatin e Sporteve “1 Tetori”, ku u dhurua një tjetër spektakël i volejbollit kosovar.
Medaljet e vendit të dytë për skuadrën e Dritës u ndanë nga deputetja e Kuvendit të Kosovës, Liza Gashi, anëtarja e Bordit Antigone Veseli dhe anëtari i Bordit Gëzim Brahimi.
Ndërkohë, medaljet e arta për fituesit e Kupës iu dorëzuan nga drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, drejtori i Urbanizmit në Ferizaj, Arbër Bytyçi dhe nënkryetarja e Federatës së Volejbollit të Kosovës, Emine Reka.
Çmimi për lojtarin më të mirë të finales (MVP) iu dha Ahmed Jaserit të Lubotenit, ndërsa trofeu iu dorëzua nga sekretari i përgjithshëm i Federatës së Volejbollit të Kosovës, Valon Nikqi.
Në fund, kupa për kapitenin e Lubotenit, Shqipron Krasniqi, u dorëzua nga presidenti i Federatës së Volejbollit të Kosovës, Bahri Gjinovci, duke vulosur festën e madhe të skuadrës nga Ferizaj.